Lajmet e fundit

Maratonës së dështimeve të seancave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës sot iu shtua edhe një numër.
Gjithsej u bënë 24 përpjekje pa rezultat për ta funksionalizuar legjislaturën e nëntë të parlamentit, njofton Klankosova.tv.
Seanca e radhës në tentativë për ta konstituuar Kuvendin u caktua të mbahet pas dy ditësh, të hënën në orën 10:30.
Cilat ishin deklaratat e sotme të deputetëve të zgjedhur pas dështimit të seancës së sotme?
Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cilësoi këtë zhvillim me Kuvendin si një ngërç artificial.
“Ne sot do të duhet të ishim në seancë për të shkarkuar bordin e ZRrE-së, fatkeqësisht për shkak të kryeneçësisë politike të z.Kurti dhe insistimit të tij për të legjitimuar presionin e tij politik. Nuk votohet me diktat, kemi një ngërç politik artificial. Ju bëj thirrje për reflektim”, tha Çitaku.
Ndërkaq, deputeti i betuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri tregoi mesazhin pas veshjes së tij, ku shkruhej “Fat familjarëve”, transmeton Klankosova.tv.
“Qytetarët e Kosovës as nuk po provojnë më, janë dorëzuar, edhe në provimin e fatit, kështu ky është mesazh për familjarët e pushtetarëve”, tha ai.
Fatmir Limaj është “e shkuar e harruar” për Ramush Haradinajn. Kështu deklaroi kreu i AAK-së pas seancës së sotme në Kuvend, kur u pyet nga gazetarët se a është emri i kreut të Nismës unifikues për t’u votuar si kryetar parlamenti.
Kjo pasi kohëve të fundit, por emrit të Albulena Haxhiut, si e nominuar zyrtare për postin e të pares së Kuvendit, edhe Limaj është përfolur shumë për këtë post.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, pas dështimit të seancës konstituive u pyet lidhur me pagën 1 mijë e 500 euro që morën deputetët. Pyetja për pagën, Zemajt iu duk atraktive, por jo që mund të bëj zgjedhjen e problemit.
“Nuk vendosi unë për pagën, është çështje procedurale dhe ligjore. Puna po bëhet, seancat janë të thirrura ashtu siç janë me rregullore. Këtë detyrë e ka deputeti me ardhë dhe me u bë pjesë e vendimmarrjes, detyrë tjetër pos përfaqësimit që janë edhe ligjore edhe kushtetuese nuk kanë”, tha Zemaj, transmeton Klankosova.tv
Artan Abrashi, deputeti i betuar i VV-së ka thënë se ish-opozita po bojkoton dhe po bën sabotazh ndaj votimit kundër të komisionit të fshehtë, e në këtë mënyrë të arrihet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
“Sot ishim dëshmitarë të dështimit të 16-të për të formuar komisionin e fshehtë. Është duke dështuar si rezultat i bojkotit dhe sabotazhit opozitar. Është absurde”, tha ai.
Tutje, ai u shpreh se VV-ja është në pritje të një përgjigjeje nga Gjykata Kushtetuese.
Kandidatja e LVV-së për kryekuvendare, deputetja Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partitë që në mandatin e fundit ishin në opozitë, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim.
“Ka deputetë që vijnë në Kuvend, por nuk e dinë pse vijnë. Secili deputet i LVV-së në secilën seancë konstituive, kanë qenë të pranishëm për të kontribuuar në konstituimin e Kuvendit. Sot ishte seanca e 16 prej momentit kur është propozuar votimi për të kaluar në votim të fshehtë, dhe në asnjërën nga to nuk ka pasur as përpjekje minimale të deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në votim”.
“Nuk po themi të votojnë pro domosdo, por të votojnë kundër ose abstenim”.
Ajo tha se kjo situatë është shqetësuese.
“Janë 24 seanca me të sotmen. Kjo situatë natyrisht se është brengosëse, por sa i takon LVV-së, secilin obligim që e kemi pasur me Kushtetutë, me rregulloren e punës së Kuvendit, e kemi adresuar. Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të marrin pjesë në votim dhe të gjejnë mënyrat për të konstiuuar Kuvendin”.
“Edhe në letrën e Osmanit thuhet se u takon të gjithëve të gjejnë mënyrë për të konstituuar kuvendin, e jo për ta bllokuar atë”.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që opozita të braktis qëndrimet bllokuese, që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të jemi në përputhje me Kushtetutën. Ne po presim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për komisionin e fshehtë, çështje e cila është dërguar nga AAK-ja”, deklaroi ajo, transmeton Klankosova.tv