Lajmet e fundit

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, tha se Maqedonia rrezikohet nga sulme terroriste dhe ekstremiste, duke e ndërlidhur rrezikun nga lëvizja e migrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme përmes territorit të Maqedonisë drejt vendeve të Evropës.
Presidenti Ivanov foli për çështjet e sigurisë në shënim të Ditës së Ilindenit, një feste të rëndësishme për Maqedoninë, që shënon kryengritjen ndaj pushtimit otoman.
“Shumica nuk pret që një territor kaq i vogël si Maqedonia të jetë imun dhe i fortë para kërcënimeve nga migrimi ilegal. Megjithatë, në mënyrë të suksesshme ne u përballëm me grupin e parë të refugjatëve. Treguam se kemi Ushtri dhe polici që mund ta ruajnë kufirin. Dolëm në fund edhe me kërcënimet e sigurisë nga ekstremizmi i rritur dhe terrorizmi. Penguam masakra dhe gjakderdhje që e pamë gjithandej në botë”, tha presidenti Ivanov, në fjalimin e tij me rastin e festës së Ilindenit.
Presidenti, ditë më parë, tha se në Maqedoni janë kthyer rreh 86 persona të cilët kanë qenë të përfshirë në luftimet në vendet e Lindjes së Mesme, një pjesë e të cilëve janë arrestuar gjatë aksionit të quajtur “Celula”, përderisa pjesa tjetër siç ka nënvizuar presidenti Ivanov, ndiqen me vëmendje nga ana e organeve të sigurisë, njofton Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Ministria e Punëvetë Brendshme ka deklaruar se ka shtuar masat e sigurisë me qëllim të siç tha, “pengimit të sulmeve të mundshme terroriste në territorin e saj”.
Ndërkohë Bashkësia Fetare e Maqedonisë diplomatëve të huaj dhe institucioneve të vendit ua ka prezantuar projektin në bazë të cilit parashihet që personat të cilët kanë qenë të përfshirë në luftërat e huaja përpos vuajtjes së dënimit që parashihet m ligj, ti nënshtrohet dhe një programi për rehabilitim dhe risocializim.