Lajmet e fundit

Për momentin nuk do që ta fajësojë askënd për humbjen 14 jetëve.
Për të parin e shtetit maqedon, Stevo Pendarovski, me rëndësi është njëherë zbardhja e incidentit që shkaktoi zjarrin e ngjarjes tragjike.
Për këtë, pos drejtësisë vendore, i pari i shtetit vlerëson se duhet të ketë edhe një hetim ndërkombëtar.
"Unë gjithmonë këmbëngul të ketë përgjegjësi, morale dhe politike, subjektive ose objektive, megjithatë nuk mund ta kërkoj në këtë moment sepse nuk e di a ka bazë për një përgjegjësi të tillë".
Se nuk do të ketë shmangie të përgjegjësisë, premtoi edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili u fajësua bashkë me shefin e tij nga opozita maqedonase për këtë incident.
"Sot në shumë media kishte thirrje për dorëheqjen time, më lejoni që të them se nga përgjegjësia as kam ikur e as do të iki, por do të pres që të përfundojë hetimi, për shkak se edhe në këtë periudhë ka nevojë për menaxhimin e një pjese të krizës, posaçërisht për pacientët e Tetovës".
Për këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli tri ditë zie për nder të viktimave.
Paraprakisht edhe Këshilli Komunal i Tetovës ka shpallur tri ditë zie në këtë qytet, derisa mori obligim të financojë shpenzimet e varrimit të viktimave.
Qeveria e Zoran Zaev premtoi se raporti i parë për këtë incident do të bëhet publik brenda pesë ditëve.