Lajmet e fundit

Parlamenti maqedon ka caktuar 30 shtatorin si data për një referendum mbi ofertat e anëtarësimit në NATO, BE si dhe rreth marrëveshjes së saj me Greqinë në lidhje me emrin e vendit.
Në parlamentin me 120 vende, 68 deputetë votuan në favor të mbajtjes së një referendumi me pyetjen: “A jeni në favor të anëtarësimit në NATO, BE dhe a pranoni marrëveshjen rreth emrit midis republikës së Maqedonisë dhe Greqisë?”
Deputetët nacionalistë të opozitës VMRO-DPMNE nuk ishin të pranishëm në seancë, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.
Si rezultat i marrëveshjes me Greqinë, në qershor, NATO i dërgoi ftesë Maqedonisë për t’i filluar bisedimet për anëtarësimin e saj në aleancë.
Greqia kishte refuzuar të pranonte emrin e Maqedonisë, duke thënë se kjo nënkuptonte pretendime territoriale në krahinën greke të Maqedonisë si dhe përvetësim të qytetërimit të lashtë të Greqisë. Kjo e fundit i kishte bllokuar iniciativat e anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO.
Pas një periudhe krizash politike, qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, e zgjedhur në vitin 2017, nxiti një iniciativë për të zgjidhur mosmarrëveshjen rreth emrit me Greqinë dhe të dyja shtetet kanë rënë dakord për t’i vënë emrin Republika e Maqedonisë Veriore.