Lajmet e fundit

Grupi punues është në proces e sipër të përafrimit të qëndrimeve për çështjet e fundit të hapura rreth prokurorit special. Gjatë takimit palët nuk janë shprehur shumë optimiste për zgjidhjen, duke marrë parasysh qëndrimet e kundërta mes partive politike dhe këmbëngulësinë me të cilën mbrohen ato.
Mësohet se në propozimin e VMRO DPMNE-së nuk është parashikuar asnjë prokuror, por vetëm prokurori special, i cili do të zgjidhej nga radhët e prokurorëve aktualë.
Qëndrimi i LSDM-së opozitare nga ana tjetër është se prokuroria speciale duhet të përbëhet nga prokurori special dhe 12 prokurorë, të cilët nuk do të zgjidheshin nga prokurorët aktualë, por nga rrafshi i ekspertëve. Të dyja këto qëndrime kundërshtohen nga VMRO DPMNE-ja.
Propozimi i BDI-së është që përveç prokurorit special, të zgjidhen edhe 8 prokurorë nga radhët e prokurorëve aktualë, prej të cilëve 3 duhet të jenë shqiptarë. Ata kërkojnë që edhe prokurori special të jetë shqiptar, nëse ka gatishmëri nga partitë e tjera politike, ose të paktën sekretari i përgjithshëm i prokurorisë speciale. Prokurori special, sipas BDI-së duhet të votohet në Këshillin e Prokurorëve me shumicën e Badenterit.
PDSH-ja mbështet propozimet dhe pikëpamjet e ndërmjetësve ndërkombëtarë për çështjen e prokurorit, por kërkon që gjatë emërimit të prokurorit special dhe prokurorëve të respektohet Kushtetuta, respektivisht parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Burime diplomatike theksojnë për televizionin Alsat M se ndërmjetësit e deleguar nga Bashkimi Europian vlerësojnë se duhet të ketë një numër të caktuar të prokurorëve që të punojnë nën urdhrat e prokurorit special. Duke marrë parasysh mospajtimet mes partive politike, përfaqësuesit e BE-së kanë propozuar që vetë prokurori special të vendosë se sa prokurorë do të angazhojë. LSDM-ja ka kërkuar që nëse pranohet kjo formulë, të parashikohet numri minimal i prokurorëve që do të zgjidhte prokurori special. Jo zyrtarisht, LSDM kërkon që me ligj të garantohen minimalisht 6 prokurorë.