Lajmet e fundit

Takime të njëpasnjëshme, por pa ndonjë rezultat, mes liderëve në Maqedoni.
Grupet punuese janë mbledhur edhe sot për të diskutuar aspektet ligjore, kompetencat dhe çështjet e tjera që lidhen me prokurorin special, i cili duhet të zgjidhet deri më 15 shtator.
Edhe përkundër optimizmit të djeshëm të liderit opozitar, Zoran Zaev, se prokurori do të zgjidhet për disa ditë, burime brenda grupeve punuese njoftojnë se në takimin e sotëm nuk është bërë asnjë përparim.
Dy partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe LSDM mbeten edhe më tej në qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta.
Opozita insiston në Prokurori speciale me buxhet vetanak dhe një kabinet që do t’i ndihmoj prokurorit të ri special. Por, nga VMRO-DPMNE thonë se duhet të zgjidhet vetëm prokuror që do të shfrytëzojë resurset dhe buxhetin nga prokuroria publike.
Ekspert thonë se një individ nuk mund të kryejë i vetëm punën që do t’i jepet për të hetuar rastin ‘Puç’, aferën e përgjimeve dhe dyshimet për keqpërdorime që janë theksuar në bisedat e publikuara nga opozita.
Ekspertët thonë se prokurori special duhet të jetë Institucion në vete me kabinet të pavarur nga prokuroria publike.
Sipas Mersim Maksitutit duhet të angazhohen më shumë prokurorë dhe hetues.
“Organizimi dhe funksionimi i prokurorit special që pritet shumë shpejt të emërohet, duhet të themelohet si një institucion i veçantë në RM, i cili do të ketë një personel mbështetës, do të përbehet pra prej prokurorit special dhe pas tij do të ketë prokuror të tjerë, një tim prokurorësh prej 10-15 prokuror në përbërje të prokurorit special.
Përveç tyre si personel mbështetët gjithashtu do të ketë edhe një ekip deri në 30 hetuesish. Krejt ky do të jetë personeli mbështetës i prokurorit special, por përveç kësaj, prokuroria speciale të themelohet si institucion i veçantë, i pavarur”, vlerëson Mersim Maksuti – Ekspert juridik.
Maksuti thotë se me ndryshimet ligjore që do të bëhen në Kuvend, duhet të përcaktojnë qartë kompetencat e prokurorit special si dhe bashkëpunimin e tij me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtarë, që do ti nevojiten për një hetim të drejtë dhe të përpiktë.