Lajmet e fundit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, sipas vendimit që e sollën deputetët më 18 janar, sonte në mesnatë duhet të shpërbëhet me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill, sipas marrëveshjes së Përzhinos, njofton AlsatM.
Tani për tani nuk ka iniciativë formale deri te Kuvendi për ndryshimin e vendimit për vetëshpërbërje. Deri mbrëmë asnjë grup i deputetëve nuk kishte parashtruar kërkesë për ndërrim të vendimit.
BE-ja dhe SHBA-ja të dielën përmes kumtesës së përbashkët e nxorën vlerësimin e tyre se edhe pse përparim i caktuar është arritur, kushtet e domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të besueshme më 24 prill, për momentin nuk janë plotësuar.
Ambasadori amerikan Xhes Bejli deklaroi, se megjithatë, vendimi për datën e mbajtjes së zgjedhjeve është i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
VMRO-DPMNE- ja dje u shpreh se nuk është e saktë se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në vend, se nuk ekziston gatishmëri te LSDM-ja që të dalë në zgjedhje, sepse është e vetëdijshme se do t'i humb, por edhe se për shkak të asaj frike të partisë opozitare do të prolongohet kriza në vend.
Anëtari i KZ-së së VMRO-DPMNE dhe ministër i Shëndetësisë, Nikolla Todorov mbrëmë në intervistë për televizionin "Sitel" tha se deri në atë moment vendimi i Komitetit ekzekutiv dhe qendror të VMRO-DPMNE-së është që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, megjithatë, mbrëmë e përsëriti qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje më 24 prill, sepse nuk ka kushte. Sipas partisë opozitare, paraprakisht nevojitet pastrimi i listës zgjedhore dhe reformave në mediumet.
BDI dhe PDSH dje nuk dolën me qëndrim të tyre lidhur me këtë situatë, edhe pse paraprakisht në takimin e partisë në Gostivar, lideri i BDI-së Ali Ahmeti u prononcua se pa marrë parasysh nëse do të ketë zgjedhje më 24 prill apo pastaj, ato do të mbeten partnerë me të gjitha forcat progresive si në vend, ashtu edhe me të huajat.