Lajmet e fundit

Parlamenti maqedonas votoi sot kandidatët e rinj për ministra dhe zv/ministra të qeverisë së Maqedonisë, të cilët u propozuan nga BDI-ja.
Pasi dhanë deklaratën solemne, të propozuarit u votuan një nga një me shumicë votash, ndërkaq kundër tyre ishin 30 deputetë. Deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov, paraprakisht njoftoi se kjo parti nuk do t’i përkrahë kandidaturat e tyre.
Ai e pyeti kryeministrin Dimitriev për arsyen e ndryshimit të qëndrimit të tij për këto kandidatë, ndërkaq i pyeti edhe kuadrot më të rëndësishëm të VMRO-DPMNE-së përse nuk ndodhen në Kuvend gjatë rasteve të rëndësishme.
Me propozim të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, Arbër Ademi është emëruar zv/kryeministër për Çështjet Evropiane, kurse Festim Halili, zv/kryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Valdet Xhaferi do të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë; Pishtar Luftiu atë të Arsimit; Driton Kuçi Ekonominë; Bashkim Ahmeti, Ministrinë e Ekologjisë; ndërsa Shyrete Elezi, atë të Pushtetit Lokal.