Lajmet e fundit

Kryeministri Nikolla Gruevski në Uashington ka takuar nënkryetarin e SHBA-ve Xho Bajden, kurse javën do ta përmbyll në Shkup, në takimin me eurokomesarin për zgjerim Johanes Han. Në ndërkohë eurodeputetët, Eduard Kukan, Riçard Hovit dhe Ivo Vajgël, kanë nisur takimet me liderët e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes, të cilët të premten do të takohen edhe me eurokomesarin Han. Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi, siç ka njoftuar edhe Brukseli zyrtar, me të gjitha palët e përfshira do të diskutojë për implementimin e Marrëveshjes politike.
Lidhur me qëndrimin e Gruevskit në Uashington, agjencia shtetërore e lajmeve(MIA) njoftoi se vizita "është në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit të ndërsjellë" dhe se tema të bisedimeve mes Gruevskit dhe Bajdenit janë "aktivitetet për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe bashkëpunimit reciprok, reformat në Maqedoni dhe proceset demokratike, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, çështjet e sigurisë dhe integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO".
Dojeçe Vele ka raportuar se një pjesë e diplomatëve vendor, me kusht anonimiteti, kanë theksuar se Gruevski ka gjasa të marr përkrahje të re në takimin me Bajden nëse premton zgjidhjen e kontestit të emrit, ndërsa të njëjtit diplomat kanë theksuar se aspak nuk është e rastësishme që edhe partneri i koalicionit Ali Ahmeti pikërisht ditëve të fundit në Athinë takoi shefin e diplomacisë greke.
Analistët politik gjithashtu presin që pas këtyre takimeve të dihet se kur do të mbahen zgjedhjet dhe kur do të japë dorëheqje nga funksioni kryeministri aktual Nikolla Gruevski, duke patur parasysh se sipas Marrëveshjes, qeveria teknike është paraparë të formohet 100 ditë para zgjedhjeve. Profesori universitar, Denko Maleski, për mediat maqedonase ka deklaruar se takimet janë pjesë e një aksioni të koordinuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të shty procesin përpara.
"Ky operacion për momentin nuk është i thjeshtë, sepse është i ndërlidhur me fatet politike dhe personale të politikanëve të lartë, megjithatë nëse ata bashkëpunojnë me faktorin ndërkombëtar, mund të presim një kalim dhe shthurje të qetë të krizës, e cila do të fillonte me formimin e qeverisë teknike që do të niste me përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e reja", ka deklaruar Maleski.
Por deri në përgatitjen e terrenit për zgjedhje, në terren ka ende mosmarrëveshje rreth obligimeve që dalin nga Marrëveshja politike dhe raporti i ekspertit evropian Rajnhard Pribe. Grupet e punës ende nuk kanë arritur marrëveshje për mediat, çështje kjo që për muaj të tërë nuk ka lëvizur nga pika zero. Pastaj e pazgjidhur mbetet çështja e pastrimit të Listës zgjedhore, metodologjinë e pastrimit të së cilës Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që para Vitit të Ri ua ka dërguar partive politike, ndërsa ato ende nuk janë marrë vesh se si do të zhvillohet ky proces, raporton Koha.
"Tre muaj e gjysmë si afat janë pak për të vendosur bazat për zgjedhje të mira, me të cilat të gjithë do të pajtoheshin. Unë nuk mendoj se kjo nuk është arritur.
Ne duhet të bëjmë një hap, ku i humbësi do t'ia jep dorën fituesit dhe do pushojë fushata zgjedhore në momentin e zgjedhjes së qeverisjes së re", ka thënë Maleski, i cili ka potencuar se ndërkohë "po harrohet momenti tjetër i procesit juridik", që para votuesve të bartet përgjegjësia për atë që dëgjohet në të ashtuquajturat "bomba të opozitës". Eurodeputetët, përveç se me liderët e partive politike, do të takohen edhe me prokuroren speciale, Katica Janeva.