Lajmet e fundit

Ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ylli Manjani, ka sqaruar sot se amnistia e fundvitit nuk ka për qëllim të ulë mbipopullimin në burgje.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Manjani tha se me nismën e re synohet t’i jepet shans të gjithëve për barazi para ligjit. Ministri bëri gjithashtu me dije edhe kategoritë e të dënuarve që nuk përfitojnë nga kjo amnisti.
Manjani raportoi se të dënuarit që lirohen me këto kushte janë rreth 670 persona, nga këta janë 15 gra nga 94 gjithsej, 7 burra të moshuar, 8 të mitur, shkruan gazeta Shekulli.
“Amnistia e fundvitit nuk ka për qëllim të ulë mbipopullimin në burgje. Por ka një specifikë, ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit. Ne do t’i japim shans të gjithëve për barazi para ligjit. Në sistemin tonë kemi mbi 6000 persona. Duam që viti i ri të na gjejë me reformë në drejtësi të filluar. Ka disa kategori të dënuarish që nuk përfitojnë nga amnistia. Zyrtarët publikë nuk përfitojnë. Nuk përfitojnë përsëritësit, as vrasësit. Po kështu nuk amnistohen dhunuesit në familje. Janë 670 persona të dënuar që lirohen nga amnistia”, tha ministri Manjani.