Lajmet e fundit

Rei Manaj mund të mos festojë nëse shënon gol ndaj Interit të tij, siç ka deklaruar pak kohë më parë, por padyshim që do të jetë i gëzuar nëse arrin ta bëjë një gjë të tillë këtë fundjavë.
Ai ka pranuar prej kohësh se ka qenë që i vogël një tifoz i Interit dhe se bëri realitet ëndrrën e tij kur iu bashkua këtij klubi.
Por tani i huazuar te Peskara, ai do të ketë si detyrë të dërgojë topin në rrjetën e ekipit të zemrës.
Ndonëse vetëm 19 vjeç, Manaj që tani ka filluar të veprojë dhe mendojë si profesionist, pasi në një intervistë për “Sportmediaset”, ai tregoi se një gol i tij në fundjavë kalonte në plan të dytë para rezultatit pozitiv për Peskarën.
“Nëse do të shënoja do të isha i lumtur, për veten dhe për skuadrën. Por gjëja më e rëndësishme do të jetë të sigurojmë një rezultat pozitiv”.
“Sa jam rritur si lojtar? Për këtë nuk duhet të flas unë, por kush më qëndron rrotull dhe tifozët që më ndjekin çdo të diel”.