Lajmet e fundit

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, duke u bazuar në raportet e sigurisë së përgjithshme, Komunën e Malishevës, e ka vlerësuar si një prej komunave më të sigurta në vend, në aspektin e sigurisë së përgjithshme.
Ky konstatim ka dalë sot në mbledhjen e rregullt të KKSB-së në Malishevë, e cila është drejtuar nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ku kanë marrë pjesë të gjitha organet e sigurisë në vend, si përfaqësues të organizatave dhe sektorëve të caktuar.
Sipas komandantit të stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, bazuar në raportet policore, ky qytet është më i qeti dhe më i sigurti.
“Kjo nuk është vetëm rezultat i policisë, por më shumë rezultat i bashkëpunimit të mirë me qytetarët, si dhe vendosja e sistemit të kamerave, ka ndikuar në masë të madhe në sigurinë e përgjithshme”, tha Krasniqi.
Në tre muajt e fundit, sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHM), Valon Gashi, ka të raportuara raste të zjarreve malore.
“Sikur në tërë vendin edhe në Malishevë, janë shënuar shumë raste të zjarreve malore, ndërsa numri i kufizuar i punëtorëve në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ka ndikuar në intervenimet, por edhe pozita gjeografike e ka vështirësuar punën e tyre”, tha Gashi.
Për këtë qëllim, ka dalë edhe një rekomandim nga KKSB, ku është sugjeruar angazhimi i ekipeve shtesë, me qëllim të menaxhimit të situatave të ngjashme.