Lajmet e fundit

Sot në Malishevë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është organizuar ngjarja “Faleminderit Norvegji”.
Me këtë rast, Malishevën e ka vizituar edhe Ambasadori i Norvegjisë, në Kosovë dhe në Shqipëri, Jan Braathu për të cilin edhe u organizuar një pritje në Qendrën e Kompetencës.
Begaj e ka falënderuar ambasadorin Braathu, për vizitën dhe për investimet e shtetit të Norvegjisë në Komunën e Malishevës, në veçanti, për ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, e cila është një shkollë profesionale, me mbi nëntëmijë metra katrorë, moderne, me të gjitha kabinetet përcjellëse, për mbajtjen e mësimit profesional.
“Shkollimi është investimi më i mirë në zhvillimin e një vendi, dhe unë, në emër të popullatës së Malishevës, ju falënderoj për këtë investim kaq të madh që keni bërë në Malishevë, në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja”.
Braathu shprehi kënaqësinë e tij, që është prezent në këtë ngjarje, përmes së cilës, i shprehën falënderimet shtetit norvegjez për kontributin e saj në një vend evropian, siç është Kosova, transmeton Klan Kosova.
“Është kënaqësi e imja, kur takoj të rinjtë evropian, si juve sot. Arsimohuni, që të keni një të ardhme më të mirë, dhe arsimimi i juaj, e arsyeton edhe investimin tonë. E çmoj shumë këtë ngjaje dhe ju them se ju keni miq, e një prej miqve tuaj është edhe Norvegjia”.
Pas fjalimeve të rastit, ambasadori Braathu dhe kryetari Begaj u njohën me klasat dhe drejtimet në Qendrën e Kompetencës, dhe më pas vizituan panairin e organizuar nga nxënësit e kësaj qendre.
Gjatë bisedave, Begaj e Braathu, biseduan për të gjitha zhvillimet në Komunën e Malishevës, nga përfundimi luftës e deri më sot, si dhe për nevojat që ka Komuna e Malishevës, si komuna më e re dhe më e shkatërruara gjatë luftës.