Lajmet e fundit

Gjatë fjalës së tij, deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, nënvizoi se partneri ynë SHBA, por dhe BE janë në krah të Shqipërisë e të qeverisë shqiptare në një mision mjaft të rëndësishëm siç është lufta kundër krimit dhe kontrollit të narkotikëve.
“Duhet të jemi seriozë kur diskutojmë marrëveshje të tilla, e cila në thelb është një marrëveshje standarde mes dy vendeve dhe që dëshmon se partneri ynë më i rëndësishëm strategjik, SHBA, do të na jetë në krah në luftën kundër krimit”, tha Majko.
Gjatë debatit të ndezur në Kuvend për marrëveshjen në luftën kundër drogës me SHBA-në, deputeti socialist hodhi një batutë duke thënë “edhe unë mund të kem vërejtjet e mia për ministrin e Brendshëm, i cili vazhdon të jetë permanent...për ligjin e duhanit”. Batuta e tij erdhi pas akuzave të forta që opozita kishte adresuar ndaj mazhorancës.
Nisur nga përmbajtja e projektit, që i shërben forcimit të sektorit të drejtësisë penale shqiptare dhe kapacitetit të saj për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimin, deputeti socialist tha se “ne sot kemi gjyqtarë apo prokurorë të cilët për të njëjtat krime japin vendime të ndryshme apo për trafikantë kanë dhënë vendime duke i nxjerrë nga burgjet dhe duke i dhënë dënime minimale”.
Më pas Majko shtoi: “Ne këtu në parlament mund të miratojmë ligje të mira, por kur ato bien në duar të këqija ligjit humbet. Nuk mund të them sot se Shqipëria ka një sistem të dobët ligjor, por sistemi i drejtësisë pa diskutim duhet të presë dhe të jetë i gatshëm për një reformë thelbësore dhe cilësore”./Shekulli.al