Sot, Madeleine Albright do të mbushte 88 vjeçe.
Albright ka lindur më 15 maj të vitit 1937 dhe ka vdekur më 23 mars të vitit 2022.
Ajo është gruaja e parë që mori postin e Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1997.
Albright është ish-sekretarja e parë grua, por njëherësh e 64-ta me radhë, e nominuar nga presidenti i atëhershëm Bill Clinton dhe e konfirmuar si e tillë nga senati me 99 vota për dhe 0 kundër.
Postin e Sekretares së Shtetit ajo e mbajti nga 23 janari i vitit 1997 deri me 20 janar të vitit 2001.
Albright u martua me Joseph Albright në vitin 1959, nga e cila martesë erdhën në jetë tri vajza.
Por, kjo martesë zgjati deri rreth vitit 1982, kur edhe ndodhi divorci. Albright nuk është martuar më.
Kontributi i Albright për çlirimin e Kosovës
Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjatë viteve të vështira të luftës, dhe para saj.
Ajo ishte njëra prej mikeve më të mëdha të Kosovës.
Albright kishte një rol vendimtar në vendimin e NATO-s për të nisur bombardimin ndaj caqeve të forcave ushtarako-policore serbe e po ashtu ka luajtur një rol jetik në procesin e çlirimit të Kosovës.
Ish-sekretarja e kishte vizituar Kosovën pas çlirimit, duke zbarkuar në Prishtinë më 29 korrik 1999.
Gjatë kësaj vizite i kishte bërë thirrje serbëve që të mos largohen nga Kosova, por të ndihmojnë në krijimin e një shoqërie multietnike.
Ajo e kishte vizituar vendin tonë edhe për herën e dytë, në qershorin e 2019-tës, që përkonte me festimet e Ditës së Çlirimit të Kosovës, që është data 12 qershor.
Në atë udhëtim, ajo u shoqërua nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.
Gjatë kësaj vizite, Albright mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të bustit të saj në Prishtinë.
Albright e ndihmoi shumë Kosovën në arritjen e pavarësisë së saj, ku më pas shteti ynë e nderoi atë me Medaljen e Artë të Lirisë.
Ish- Sekretarja Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, vdiq më 23 mars të vitit 2022 në moshën 84 vjeçare. /Klankosova.tv
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.