Vendosja e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, siç propozohet nga Britania dhe Franca si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë, është një çështje që duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë nxituar për të konsoliduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ndërsa presidenti i ShBA-së, Donald Trump, bën presion për një marrëveshje paqeje me Rusinë. Starmer mbajti një takim virtual të shtunën me Macron dhe aleatë të tjerë jo-amerikanë të Ukrainës.
"Ukraina është sovrane. Nëse kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk është diçka që Rusia ta pranojë apo jo", tha Macron në një intervistë të përbashkët me disa gazeta rajonale franceze të botuar vonë të shtunën.
Rusia e ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë që ushtarët nga vendet që i përkasin aleancës së NATO-s të vendosen në Ukrainë.
Macron tha se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga "disa mijëra trupa për vend" që do të vendosen në vende kyçe, duke shtuar se një numër vendesh evropiane dhe jo-evropiane ishin të interesuara për të marrë pjesë, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.