Lajmet e fundit

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Mass, e ka mohuar kategorikisht përfshirjen e Gjermanisë në hartimin e “non papers” të cilat kanë qarkulluar ditëve të fundit e ku parashihej ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor.
"Nuk ka asnjë përfshirje të Gjermanisë në këto “non papers”. Nëse ka zëra që supozojnë të kundërtën janë ‘fake neës’. Politika e jashtme gjermane ka pasur gjithmonë parimin se kufijtë e Ballkanit Perëndimor nuk preken".
Maas tha se "non paper" është një dokument bosh dhe askush nuk duhet të merret me të.
“"Non papers” mbajnë pikërisht emrin e duhur, pra dokument jo zyrtar. Nuk kanë gjë tjetër veçse fjalë bosh dhe askush nuk duhet të merret seriozisht me to".
Ai këto komente i ka bërë në një konferencë për media me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Dokumenti u publikua fillimisht nga mediat sllovene, nën autorësinë e pretenduar të kryeministrit slloven Janez Jansa e në adresë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michell, si një propozim mbi trajtimin e problematikave në rajon pasi Sllovenia të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian në korrik.
Kryediplomati gjerman tha se ripërcaktimi i kufijve do të prekte rajonin me pasoja të pakthyeshme.
"Ne besojmë se çdo ripërcaktim i kufijve do të prekte të gjithë rajonin me pasoja të pakthyeshme në të gjitha nivelet. Ne nuk e duam këtë gjë dhe do ta refuzojmë gjithmonë".