Lajmet e fundit

Ujdia e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, solli edhe pajtimin që Kosova për një vit të heqë dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.
Por efekti i moratoriumit, u diskutua tek këtë të enjte në një tryezë virtuale të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me profesorë e pjesëtarë të shoqërisë civile, njofton Klan Kosova.
Me këtë rast ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca tha se në Washington, Qeveria Hoti ka hequr dorë nga sovraniteti i shtetit.
''Vetë fakti që një vullnet i qeverisë sonë që të shkojë në këtë drejtim, t’ia heqë subjektivitetin Kosovës, është një dëm që duhet riparuar sa më parë të jetë e mundur prej qeverive të ardhshme e të përgjegjshme'', ka thënë Konjufca.
Me të pajtohet edhe Jeta Krasniqi, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, që vlerëson se diplomacia kosovare ka qenë e dobët dhe nuk ka pasur strategji të mirëfilltë për t'i çuar përpara proceset e mëdha.
''Kjo mendësi e cekët që një shtet të njeh dhe automatikisht duhet të të votojë na ka sjellë në atë që kemi aplikuar dhe nuk kemi arrit të anëtarësohemi'', është shprehur Krasniqi.
Edhe Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thekson se pezullimi i anëtarësimit njëvjeçar është pjesë e negociatave jo parimore që po bëhen nga shteti kosovar.
''Duhet përmendur se Serbia e ka çështje të jashtme Kosovën, ndërsa ne heqim dorë nga anëtarësimi që është çështje e brendshme e Kosovës'', theksoi Loxha.
Nga ky diskutim online, u kërkua që institucionet e vendit t`i kushtojnë më shumë rëndësi anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe ndërkombëtare.