Lajmet e fundit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm Naim Sallahun dhe Shaban Lushtakun, të cilët akuzoheshin se kanë frikësuar dhe detyruar drejtorin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Blerim Dina, lidhur me një tender në vlerë prej 21 milionë euro.
Gjykatësja Fatime Dermaku, të akuzuarit Sallahu dhe Lushtaku i ka liruar nga akuza, pasi që sipas saj, nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale të detyrimit.
Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar avokati mbrojtës i Naim Sallahut, Arianit Koci.
Ky rast kishte të bënte me tenderin për autostradën A7, Prishtinë-Gjilan. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 mars 2018, Naim Sallahu dhe Shaban Lushtaku akuzohen se më 16 tetor 2017, rreth orës 16:00, së bashku edhe me të dyshuarin Lulzim Sallahu si dhe një person deri më tani të pa identifikuar N.N, kanë arritur marrëveshjen për të kryer veprën penale me qëllim që vetit t'i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm.