Lajmet e fundit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka uruar kryetarin Osman Havollin për përzgjedhjen e tij në krye të Odës së Avokatëve të Kosovës.
Ai ka pritur atë në një takim pune një delegacion nga Oda e Avokatëve të Kosovës ku pos Havollit ishte edhe zëvendëskryetari Isamedin Dedinca, si dhe kryetarja e degës regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës për Prishtinë, Merita Stublla - Emini.
Lumezi ka shtuar se pret nga Havolli që do të angazhohet në ngritjen profesionale të avokatëve, në mënyrë që edhe avokatët ta kenë vendin e tyre të merituar në sistemin e drejtësisë, transmeton Klan Kosova.
Në këtë takim ndër të tjera u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, me qëllim që puna e përbashkët e këtyre institucioneve do t’i kontribuonte zhvillimit dhe rritjes së progresit në sundimin e ligjit, si aspiratë e vendit tonë për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe në institucione ndërkombëtare, duke përqafuar standardet më të mira të tyre.
Të dyja palët u pajtuan që të kujdesen që prokurorët dhe avokatët të zbatojnë kodet etike të tyre, sidomos gjatë prononcimeve publike të avokatëve të respektohen palët në procedurë dhe të ruhet dinjiteti i tyre.