Pas tri dekadash martesë, Drita Kaçandolli-Gjonbalaj vazhdon betejën e saj ligjore për të marrë hisen që i takon nga bashkëshorti i saj, Mujë Gjonbalaj.
Drita, e cila ka tri vajza me Mujën, ka nisur këtë betejë ligjore për faktin se bashkëshorti nuk i doli asnjëherë në krah, që pasuria të cilën ai e ka trashëguar por edhe e ka krijuar bashkë me të, të u takojë vajzave të saj, por ajo po tentohet t'i jepet vëllait të Mujës.
Në një bisedë për KIKS Kosovën, Drita ka rrëfyer historinë 30-vjeçare të zënkave të saj me bashkëshortin dhe familjen e tij, e cila sipas saj vie për faktin se mentaliteti i tyre nuk i njeh vajzat si trashëgimtare të pasurisë së të atit.
Ajo thotë se në atë familje si nuse nuk pati kurrë të drejtë.
Drita, e cila u martua me Mujën në vitin 1989, për KIKS-in rrëfen se si vetëm pas martesës filloi të kuptonte se në familjen ku kjo kishte shkuar nuse, diçka nuk ishte në rregull.
Nga të gjitha këto dhe fakti që njeriu me të cilin kishte lidhur kurorë nuk po e mbështeste, Drita thotë se kaloi në një gjendje depresive.
Pas 10 vitesh trajtim, Drita më në fund ia doli që të dalë nga ajo errësirë e cila e kishte kapluar.
Mirëpo, sipas saj, marrëdhëniet me të shoqin qëndronin ende siç ishin - të ftohta.
Madje Kaçandolli-Gjonbalaj pretendon se i shoqi nuk e përfillte atë në asnjë vendim që e merrte mbi pasurinë dhe të ardhurat e tyre si familje.
Drita kishte vendosur të mos fliste dhe të rriste vajzat me të, deri në ditën kur bashkëshorti Muja kthehet me një copë letër në shtëpi dhe i thotë asaj se një parcelë toke që Drita mendonte se do të mbetej trashëgimi për vajzat, ai do të ia jepte vëllait të tij të vogël.
Mirëpo ajo letër, sipas saj, nuk kishte asnjë vlerë juridike.
Se ajo tokë i takonte Mujës dhe tanimë familjes së tij, e cila përbëhej nga gruaja dhe tri vajzat, Drita thotë që e vërteton fakti se një kohë të gjatë pas martese i shoqi paguante kredi çdo muaj për këtë tokë.
Për KIKS-in, Drita e cila me profesion është ekonomiste, thotë se toka po tentohet t'i jepet vëllait të Mujës vetëm pse ai pati fatin të ketë dy djem.
Ajo pretendon se një zgjedhje e tillë në familjen Gjonbalaj u bë pasi që Drita e Muja nuk kishin djalë dhe mentalitetit se pasuria nuk mund të trashëgohet nga vajzat. /Klankosova.tv
https://youtu.be/B2s4CaRwRDY
●●●
FHSHKRIMI NGA
Florentina Hoti
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.