Lajmet e fundit
Për anëtarësim në këtë organizatë të rëndësishme të OKB-së janë bërë shumë beteja. Kosova ka humbur shumë prej tyre. Por, tashti, është rasti i madh që të arrihet një fitore e çmuar që shëron disfatat e deritashme. Pse Bullgaria mund të luajë një rol të madh në krejt këtë punë? Çfarë rëndësie ka parashtesa "UN" për Kosovën? Si do të bëhen Manastiret e Deçanit dhe të Graçanicës, por edhe Patrikana e Pejës, trashëgimi kulturore e fetare të Kosovës .

Beteja Kosovë-Serbi për anëtarësimin e të parës në UNESCO është intensifikuar së fundmi, me Prishtinën që po bën cmos për ta arritur një gjë të tillë, dhe Beogradin që është duke mos lënë gur pa lëvizur për ta penguar atë.
Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaci kanë bërë fushatë të rreptë, në nivel ndërkombëtar, për të siguruar mbështetje për anëtarësim.
Por, beteja për anëtarim në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë e Kulture, apo UNESCO, sic njihet ndryshe, nuk lindi tek tashti.
Kosova e Serbia janë shtyrë për këtë punë edhe më parë, me të dytën që po thuajse kishte dalë fitimtare cdoherë, duke pamundësuar që trashëgimia kulturore serbo-ortodokse në Kosovë t'i kalojë në pronësi të Prishtinës.
Çfarë ndodhi katër vjet më parë?
Kështu ndodhi edhe në takimin e 35 të rregullt vjetor të komitetit për trashëgiminë botërore të UNESCO-s, që u mbajtë në Paris, më 2011. Tentimi për t'i evidentuar katër vlerat e mëdha kulturore - Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Graçanicën dhe Kishën e Premtes së Shenjtë në Prizren, si "monumentet kosovare të Mesjetës" dështoi. Ato mbetën si "monumente të Mesjetës në Kosovë", duke ia shtuar emrin e shtetit të Serbisë në kllapa, si shtesë.
"Për shkak të kësaj, ishte zhvilluar betejë e vërtetë diplomatike që zgjati 72 orë", pati thënë ministri i atëhershëm serb i punëve teë jashtme, Vuk Jeremiq, njofton Politika, përcjellë Klan Kosova.
Pro Prishtinës atëbotë, në këtë kërkesë, ishin angazhuar në mënyrë të veçantë Franca, Zvicra dhe Suedia. Rusia, Kina, Brazili dhe një varg shtetesh tjera ishin me Serbinë.
Pse tashti është momenti i madh?
Situata tashti është më ndryshe, pati drejtor i përgjithshëm në UNESCO është bullgarja Irina Bokova, e cila, në emër të shtetit të saj, ka bërë të ditura ambiciet për të qenë edhe sekretare e përgjithshme e OKB-së, kur Ban ki Moon të largohet. Ajo, sic thuhet, ka mbështetje të fuqishme amerikane dhe gjasa të mira për ta fituar postin kryesor në East River. Prandaj, në këmbim të mbështetjes së SHBA, Bokova mund të vendosë për ta pranuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, gjë që e suporton fuqishëm Washingtoni.
Në fakt, hapi i parë për anëtarësim në këtë organizatë, është paraqitja e kërkesës te drejtori i përgjithshëm i saj. Pasi kjo punë të jetë kryer, që varet shumë nga drejtori, duhet siguruar vota e dy të treteva vendeve anëtare në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, që mbahet njëherë në dy vjet.
Konferenca e radhës është këtë vjeshtë, prandaj Kosova ka intensifikuar përpjekjet për ta shfrytëzuar këtë rast të rrallë.
Çka humb Serbia e çka fiton Kosova?
Anëtarësimi në UNECSO e bënë përgjegjës secilin vend anëtar për trashëgiminë që ndodhet në territorin e tij.
Prandaj, Serbia është duke bërë cmos për ta penguar Kosovën të anëtarësohet, pasi një akt i tillë, e bënë Prishtinën, e jo më Beogradin, përgjegjës dhe pronar edhe të katër vlerave të mëdha që u përmendën më lart, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, Graçanicën dhe Kishën e Premtes së Shenjtë në Prizren.
Pos këtij fakti, anëtarësimi në UNESCO e ngrit rejtingun e secilit vend anëtar, pasi ia shton vlerat sovranitetit të vetë dhe fiton, të paktën në një fushë, parashtesën "UN" që ka të bëjë me Kombet e Bashkuara, respektivisht me dicka që ka karakter global
"Kjo ka të bëjë me prestigjin dhe bindjen se Kosova është e njëjtë dhe e barabartë me të tjerët", ka thënë ish-negociatori serb në bisedimet e Brukselit, Borislav Stefanoviq, përcjellë Klan Kosova. "Për Prishtinën, anëtarësimi në UNESCO është shumë më i rëndësishëm sesa, ta zëmë, të luajë ping pong në një garë ndërkombëtare".