Lajmet e fundit

Pas suksesit të madh që e arriti me këngën “Mi dhe flakë mallit tim” në bashkëpunim me këngëtarin e njohur të muzikës popullore Bujar Qamili, Luana Vjollca ka sjellë një këngë të re.
Ky bashkëpunim i pazakontë u pëlqye jashtëzakonisht nga publiku duke u shndërruar në një hit të padiskutueshëm.
Madje, kjo këngë arriti të grumbullojë, deri tani, hiç më pak se 7,5 milionë klikime, njofton Klan Kosova.
“Mi dhe flakë mallit tim” është kënga që është kënduar kohë më parë nga një nga ikonat e muzikës popullore, Bujar Qamili por që këtë herë u soll në një version ndryshe, me pjesë të reja teksti që këndohen nga Luana Vjollca.
Por duket se pas këtij suksesi, këngëtarja e njohur nuk është ndalur. Në fakt, ajo tashmë ka sjellë një këngë të re shumë ritmike.
“Vetëm ty” mban titullin kënga e re e Vjollcës me muzikë nga Bini Diez, tekst po ashtu nga Bini Diez në bashkëpunim me vetë këngëtaren dhe produksion nga Bini Diez & NurteeL.
Xhirimet e videoklipit janë bërë në qytetin e Gjakovës derisa Luana Vjollca si gjithmonë, edhe në këtë videoklip, duket shumë seksi, derisa vallëzon nën ritmet e shpejta të kësaj kënge.
“Mi dhe flakë mallit tim” pa dyshim se tashmë e ka siguruar vendin si një nga hitet e verës 2018, por do të shohim se a do të ketë këtë fat edhe kënga e re e këngëtares atraktive nga Shqipëria.