Ai tha se disa muaj më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste të dirigjuar nga deputeti i tyre bllokuan ndihmën ekonomike për rreth 600 familje duke bërë presion në shkëmbim të votës.
“Sot përsëri të dirigjuar prej tyre, dega e Thesarit Skrapar, në kundërshtim më çdo akt ligjor dhe nënligjor ka bllokuar veprimtaritë financiare: 1-furnizimin me ujë të konvikteve, 2-furnizimin me ujë të çerdheve, 3-furnizimin me ushqim të qendrës së fëmijëve me aftësi të kufizuar, 4-pagat e punonjësve, si dhe ka bllokuar çdo shërbim ndaj komunitetit. Zonja Ministre e Financave! Ju drejtohem publikisht të urdhëroni menjëherë degën e thesarit Skrapar për të zhbllokuar këtë gjendje kriminale, shkarkimin e menjëhershëm të drejtuesve të këtij institucioni dhe të kërkoni ndjekjen penale të tyre”, u shpreh Naço.
Në mbështetje të nenit 41 të ligjit nr 68 të vitit 2017 të financave të qeverisjes vendore të nenit 37 të ligjit nr 9936 për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë si dhe të udhëzimit nr 9 datë 20.03.2018 për procedurat standard të zbatimit të buxheti, ai kërkoi që të urdhërohet dega e thesarit Skrapar që të zhbllokojë veprimet financiare të Bashkisë Skrapar duke i lejuar të kryejnë veprimet sipas ligjit dhe udhëzimit të mësipërm.
Ai iu drejtua ministres Anila Denaj, se nëse nuk ndërmerr asnjë veprim në zbatim të ligjit i lind e drejta t’ju thotë publikisht se është urdhëruesja dhe zbatuesja e kësaj vepre kriminale.
“Zonja Ministre, mos e filloni dhe mbaroni karrierën tuaj politike me këtë veprim kriminal. Zoti Kryeministër, po ju drejtohem publikisht që të ndërhyni menjëherë dhe të zhbllokohet kjo situatë kriminale, të shkarkoni menjëherë Prefektin e Qarkut të Beratit dhe të kërkoni ndjekjen penale të tij. Zoti Kryeministër, nëse ju nuk ndërhyni në zhbllokimin e kësaj situate që të lejoni Bashkinë Skrapar që të ushtrojë veprimtarinë e saj me 1/12 e buxhetit, siç e parashikon Ligji dhe Udhëzimi përkatës, atëherë jeni ju urdhëruesit dhe zbatuesit e këtij veprimi kriminal. Përgjegjësia morale, ligjore dhe politike do bjerë vetëm mbi ju”, deklaroi Naço.