Lajmet e fundit

LSDM-ja është e bindur në zhbllokimin e shpejtë të seancës konstituive që do t’i hapte rrugën edhe formimit të Qeverisë së re. Megjithatë partia e Zaevit nuk bën të ditur detajet për planin konkret por është e sigurtë në mbështetjen e partive shqiptare për ndërmarrjen e veprimeve të ardhshme.
"Të jeni të bindur se hapat tonë të ardhshëm shkojnë në drejtim të zgjedhjes së shpejt të kryetarit të Kuvendit dhe krijim sa më të shpejtë të Qeverisë të kryesuar nga kreu i LSDM-së Zoran Zaev. Absolutisht 67 deputetë dhanë nënshkrimet që të zhbllokohet Kuvendi dhe jo të bllokohet dhe do të mbeten në këto parime", deklaroi Lupço Nikollovski nga LSDM.
LSDM-ja akuzoi VMRO-DPMNE-në për keqpërdorim të mjeteve nga paratë e shtetit. Nikolla Gruevski u akuzua se shfrytëzon paratë e Qeverisë për pagesën e faturave të telefonit, kurse Dimitriev se shfrytëzon benefite të dyfishta si kryeministër dhe deputet.
Partia e Gruevskit hedh poshtë akuzat.
"Do të donim ta dëgjonim z. Dimitriev në rolin e kujt është këtu, nga e merr rogën, a shfrytëzon makinat dhe sigurimin zyrtar, a ka të drejtë për këtë? Dhe tani thoni që ky debat do të zgjasë shumë. Ftoni për debat. Nëse jeni për debat hajde të punojmë pas orës 18!", dekloroi Damjan Mançevski nga LSDM, shkruan Alsat M.
"Ka edhe mënyra efikase të të verifikuarit të informacioneve dhe ajo është Prokuroria Speciale Publike “e mbjellur” për të cilën këto ditë dëgjojmë që merret me hetimin e jahteve, avionëve, etj. Kështu që edhe këto mund t’i hetoni në atë pako. Edhe ashtu keni komunikim të rregullt, t’i lutni ta kontrollojnë llogarinë e Gruevskit a ka bërë ose jo 3 mijë euro shpenzime për roaming ", ka thënë Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
"Kryesuesi i seancës Trajko Veljanovski ishte në qendër të kritikave për keq-menaxhim të seancës. Sipas deputetëve të LSDM-së, nuk ka më kuptim as lulja në foltore që simbolizon një seancë festive.Ngrihu Trajko që këtu! Të ulet deputeti më i vjetër, ta drejtojë shumicën parlamentare drejt formimit të Qeverisë dhe t’i japim fund këtij cirku dhe shteti të ri-funksionojë", ka thënë Sonja Mirakovska nga LSDM.
"Ju lus në emrin tim personal që të tërhiqeni nga replikat dhe kundër-replikat. Meqë shqetësohet se vyshken lulet që janë në tavolinë, atëherë tërhiquni, ju lutem të tërhiqeni në emër të lules", ka thënë Trajo Veljanovski, kryetar i Kuvendit.
Edhe pse përskaj kërkesës së shumicës, deputetët nuk arritën të merren vesh për zgjatjen e seancave deri në orët e mbrëmjes, për të shterur sa më shpejt debatin.
Partia e Gruevskit nga ana tjetër akuzon LSDM-në se po punon kundër interesave të shtetit.