Lajmet e fundit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka të hënën mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, i cili po mbahet për herën e 14, ku udhëheqës shtetërorë nga Evropa dhe figura të rëndësishme nga fusha e politikës dhe biznesit debatojnë për çështje të rëndësisë globale.
Sesioni i sivjetshëm i këtij Forumi kishte në fokus zhvillimin e teknologjisë informative.
Lluka duke folur në panelin e diskutimit, theksoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur agjendën e ekonomisë digjitale në listën e prioriteteve kryesore sepse beson se digjitalizimi siguron një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe se vetëm ekonomitë që bazohen në dije janë ekonomi që kanë performancë të suksesshme dhe sigurojnë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë.
“Për mua personalisht dhe Ministrinë që drejtoj, është gjithmonë një nder dhe obligim të mbështes iniciativa të tilla si kjo, sepse unë dua të sigurohem që ne po përçojmë një mesazh të qartë për të gjithë, se ne do të bëjmë më të mirën dhe do të sigurohemi që Transformimi Dixhital do të marrë mbështetjen tonë, organizatave jo-qeveritare dhe sektorit privat”, ka thënë ai.
Kreu i MZHE-së tha se kjo ministri së bashku me ministritë e tjera dhe agjencitë që merren me sektorin, po përpiqen të integrojnë digjitalizimin me qëllim të zhvillimit të procesit të transformimit shoqëror në Kosovë, transmeton Klan Kosova.