Lajmet e fundit

Komuna e Drenasit gjatë këtij viti është shpallur komuna e parë për performancë në mesin e 38 komunave të Kosovës, e kryetari Ramiz Lladrovci thotë se ky vlerësim është si rezultat i punës dhe bashkëpunimit që kanë pasur me qytetarët.
Lladrovci thotë se është i gatshëm të kandidojë edhe për një mandat nëse ia jep besimin Partia Demokratike e Kosovës, derisa shprehet i bindur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drenasit edhe për katër vitet e ardhshme.
Në një intervistë për KosovaPress, ai flet edhe për menaxhimin e pandemisë, ndihmën që u kanë bërë bizneseve e qytetarëve, si dhe për projektet për vitin që sapo kemi hyrë.
Lladrovci thotë se e pret vlerësimin e punës së tij nga partia dhe se pret që ta kandidojnë edhe për një mandat 4 vjeçar.
“E pres vlerësimin e punës time nga Partia Demokratike e Kosovës, unë i nënshtrohem plotësisht vendimeve të partisë. Në qoftë se partia e konsideron se unë duhet me vazhdu edhe një mandat, unë do të kandidojë edhe për një mandat, në qoftë se kandidojë dhe fitojë atë mandat do të jetë mandati i fundit si kryetar i komunës sepse nuk do të kandidojë më shumë”, thotë ai.
Ai shprehet i bindur se do ta ketë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr edhe për 4 vjet Drenasin. Madje, shton se partitë e tjera po të nxjerrin 30 kandidatë, ai sërish do të fitojë.
“Qytetarët e Drenasit me aq sa unë kam informacione, janë shumë të kënaqur me punën tonë. Nëse më pyet mua a je ti i kënaqur me punën tënde, unë kisha me thënë që nuk jam sepse kemi mundur dhe mundemi të bëjmë shumë më shumë...As nuk e diskutoj, jam shumë i bindur që qytetarët më besojnë edhe për një mandat edhe nëse ata i nxjerrin edhe 30 kandidatë, unë jam i bindur që kundër të 30-ve fitojë veç vet”, thotë i pari i Drenasit.