Lajmet e fundit

22:06 - Ibrahimi: Veriun nuk mund ta integrosh me forcë
Opinionisti Ilir Ibrahimi, tha se është e pamundur të integrohet me zor pjesa veriore e Kosovës.
Ibrahimi në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se është e pamundur ta integrosh atë pjesë nëse popullsia nuk dëshiron të integrohet.
Ai theksoi se për zgjidhjen e këtij problem ndoshta mund të vije sërish në opsion shkëmbimi i territoreve.
"Është e pamundur ta integrosh një pjesë të popullatës e cila nuk dëshiron të integrohet. Ky është fakt i njohur dhe atë nuk mund ta bësh me forcë. Përpjekjet e faktorit ndërkombëtar kanë qenë për ta justifikuar vetën sepse në shpalljen e Kosovës si shtet i pavarur ne e dimë se si ka ardhur deri tek ajo dhe argumenti kryesor është krijimi i një shteti multietnik, pra disa grupe etnie të jetojnë bashkarisht në një shtet", tha Ibrahimi.
"Prapë duhet ta pyesim veten: "A justifikohet një investim kaq i madh i Kosovës për të vazhduar këtë lloj përpjekje me veriun apo duhet t'i kthehemi shkëmbimit të territoreve?", theksoi ai.
Gjatë së martës zyrtarët komunalë zgjedhorë e patën të pamundur të shkojnë në zyrat e tyre në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok, për t'i nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 dhjetor.
Kjo për shkak të shpërthimeve që u shkaktuan nga serbët që përdorën shok bomba, granata dore por edhe gjuajtjeve me armë zjarri.
Edhe pse të shoqëruar me polici ata nuk mundën të kryejnë detyrat e tyre për shkak të rrezikut që ekzistonte.
Derisa sot, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se disa nga kriminelët e përfshirë në këto akte janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
22:02 - Raci: Njohja e integritetit territorial dhe simboleve të Kosovës, kafshatë e pakapërdishme për Serbinë
Njohësi i rrethanave politike, Gazmir Raci, vlerëson se ndër pikat kyçe për situatën e tanishme është që Serbia i ka thënë “Po”, diskutimeve për planin franko-gjerman.
“Serbia ka miratuar edhe në qeveri dakordimet e fundit në Bruksel. Tash frikën e ka të ai plani dhe dy elemente: njohjen e integritetit territorial të Kosovës dhe njohjen e simboleve. Kjo është kafshata që s’po mund ta kapërdijë”, është shprehur Raci, njofton Klan Kosova.
“Nuk guxojmë të pajtohemi që respektimi i integritetit territorial dhe çështja e simboleve duhet të jenë të pashmangshme nëse duam të arrijmë te njohja”.
21:42 - Kryeziu: Sot po shohim një qeveri të pakoordinuar për situatën në veri
Analistja politike Laura Kryeziu ka thënë se Qeveria e Kosovës është e pakoordinuar kur bëhet fjalë për situatën në veri.
Sipas saj, Kosova ka punuar 20 vjet për ta integruar veriun e vendit.
"Ndryshimi i realitetit në këtë rast nuk është aspak në favor të Kosovës dhe nuk është kontekstin se Kosova është duke e ushtruar sovranitetin e saj, kushtetutshmërinë e saj. Kosova ka punuar 20 vjet radhazi për integrimin e veriut. Jemi dëshmitarë të iniciativës me targa se si përfundoi edhe te kjo me zgjedhje, ne e shohim një qeveri që nuk është e koordinuar dhe nuk e dimë me çfarë epilogu iu ka futur veriut", ka thënë Kryeziu në Rubikon.
Ajo shtoi se nuk ka pasur integrim 'fallco' në veri, por një shtrirje të shtetit, në të cilën sot nuk e ka asnjë policë të Kosovës që patrullon në atë pjesë.
21:27 - Shkullaku: Prania e shtetit të Kosovës në veri është më evidente sesa që ka qenë më përpara (VIDEO)
Analisti politik, Armand Shkullaku, ka thënë se prania e shtetit të Kosovës sot është më evidente në veri të Kosovës se ç'ka qenë më parë.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës nuk e kanë pasur hallin te targat e automjeteve.
“Veriu ka qenë nën kontrollin e Beogradit gjithmonë. Që ato struktura kontrollohen nga Beogradi, ne këtë e kemi ditur. Sot kjo është shpërfaqur botërisht. Pra, u tha ta zgjasim afatin për targat dhe serbët të kthehen në institucione dhe të heqin dorë nga bojkoti, pamë që nuk ishin problem targat. Këta nuk po kthehen në institucione, nuk duan të njohin shtetin e Kosovës dhe nuk duan të integrohen. Pra, integrimi ka qenë fals”.
“Ajo që shoh unë si përparësi në këtë rast është sepse duke u nisur edhe nga përvoja e Kosovës vetë, proceset në Kosovë kanë ecur përpara kur kanë lëvizur gjërat në terren. Për shumë vite me radhë edhe këtu edhe në opinionet ndërkombëtare është krijuar ideja shiko: mos ta mërzisim dhe hajt t’ia bëjmë një lëshim Serbisë”, u shpreh ai.
Sipas tij, me agresionin rus në Ukrainë, tani gjërat kanë filluar të ndryshojnë edhe për Serbinë.
“Kjo tregon që realisht në veri ka një problem, duam apo s’duam ne. Prania e shtetit të Kosovës sot është më evidente dhe më e pranishme në veri se sa që ka qenë përpara. Sot të paktën po flitet për këtë gjë”, deklaroi analisti politik, Armand Shkullaku. /Klankosova.tv
21:09 - Kajtazi: Zgjedhje në veri s’ka, është e pamundur të organizohen me njësi speciale
Për analistin politik, Vehbi Kajtazi, zgjedhje në katër komunat veriore nuk do të ketë.
Sipas tij ato nuk do të mund të mbahen për arsye të sigurisë dhe se Lista Serbe nuk është pjesëmarrëse në to.
Kajtazi tha zgjedhjet do t’i bojkotojnë edhe qytetarët serbë, pasi siç shtoi, nuk beson se ata do të votojnë një kandidat tjetër apo një kandidat shqiptar.
“Nëse mendon dikush se me polici e njësi speciale të organizojë zgjedhje e t’i quajë demokratike është e pamundur. Nuk do të ndodhë kjo”, është shprehur ai në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, Kajtazi tha se deklarimi i sotëm i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, se në veri ka kapacitete të mbahen zgjedhjet dhe se policia është e gatshme t’i kryej detyrat e saj, është për keqardhje.
“Sveçla po flet për individë, që po jep informacione se ne e dimë se kush janë ata, por pyetja është se pse s’po arrestohen ata njerëz. Pra, ata qenkan policë të Kosovës që janë të përfshirë në këto akte kriminale të dëmtimit të institucioneve”, është shprehur Kajtazi, njofton Klankosova.tv.
Rubikon: Beteja e Kurtit për veriun (VIDEO)
Edicioni i sotëm Rubikon do t’i kushtohet situatës së krijuar së fundmi në veri të vendit.
“Beteja e Kurtit për veriun”, është tema e cila do të shtjellohet me pesë të ftuar.
Bashkë me Adriatik Kelmendin, në studio do të jenë analistët: Armand Shkullaku, Ilir Ibrahimi, Gazmir Raci, Laura Kryeziu dhe Vehbi Kajtazi.