Dështon konstituimi i Kuvendit, shtyhet për 19 prill vazhdimi i seancës
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë të ditur se është ndërprerë për të dytën herë, edhe sot të enjten, vazhdimi i seancës për konstituimin e legjislaturës së re të parlamentit kosovar.
Pas përfundimit të takimit konsultatim me përfaqësuesit e partive politike, Dehari i falënderoi për pjesëmarrje të gjithë, por tha se nuk pati konsensus që të procedohet tutje me seancën në fjalë.
“U panë qëndrimet aktuale, partite politike braktisën seancën konsultuese, fatëkeqësisht nuk pati konsensus për sot”.
“Vazhdohet me seancën tjetër pas 48 orëve, në ora 12:00 me 19 prill”, ka thënë Dehari. /Klankosova.tv
Behrami i PDK-së: VV-ja iku nga votimi, sepse nuk ka vota
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, e ka publikuar një dokument, me të cilin sipas tij kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka respektuar skenarin zyrtar.
Behrami tha se seanca e sotme nuk ishte e Kuvendit, por seancë e udhëhequr nga VV për zvarritje.
“Që në fillim u panë shenjat e bllokadës.
– Fillimisht tekstet e betimit sot nuk ishin vendosur para deputetëve. Pra, Kuvendi i kontrolluar nga VV-ja, ende pa filluar seanca, vendosi që të pamundësojë betimin.
– Z. Dehari gjatë gjithë kohës është konsultuar me deputetë të VV-së dhe jo me Sekretariatin e Kuvendit.
– Ndërprerja e seancës me argumentin se nuk ka pasur konsensus, nuk ka logjikë as ligjore e as politike.
– VV-ja nuk i ka votat as për komision, as për kryeparlamentar, as për Qeveri.
– VV-ja iku nga votimi, sepse nuk ka vota.
– Në sallë ishin 100 deputetë, me 52 komisioni do të kalonte!
– VV-ja po refuzon të qesë në votim edhe raportin e vet që e ka miratuar në komision.” – ka shkruar ai.
Peci: Me sjellje recidiviste, opozita e pamundëson konstituimin e Kuvendit
Faton Peci nga Lista Guxo ka thënë se partitë opozitare kanë treguar sjellje recidiviste me veprimet të sotshme të treguar në vazhdimin e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se opozita po bllokon në formimin e institucioneve të vendit.
“Recedivistë në gabime! Pas mohimit të mandateve dhe bllokimit të seancës së parë të Kuvendit, opozita braktisi takimin konsultativ, dështuan sërish edhe në përpjekjen e dytë për të kontribuar në një zgjidhje institucionale”.
“Me këtë sjellje recidiviste, opozita po e pamundëson procedimin tutje të themelimit të institucioneve të reja. Opozita e Kosovës po rrëshqet gjithnjë e më thellë në spiralen e bllokimit të institucioneve”, ka thënë Peci.
“A i keni 61 vota?”, Kurti i heshtur pas dështimit të dytë
Kryeministri i dorëhequr Albin Kurti, sërish nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth numrave për formimin e Qeverisë.
Kurti pas dështimit të dytë të konstituimit të Kuvendit, u pa të shkonte sërish në Qeveri.
“A i keni 61 vota kryeministër”, u pyet ai nga gazetari i Klan Kosovës Flamur Gajtani, por sërish Kurti qëndroi i heshtur.
Vazhdimi për herën e tretë të kësaj seance pritet të ndodhë të shtunën me fillim nga ora 12:00
Kusari-Lila: Nëse nuk dëshirojnë të dialogojnë fare, po drejtohemi për një palë zgjedhje të reja
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusali Lila, akuzoi partitë tjera që nuk po bashkëpunojnë për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të seancës së sotme, ajo u shpreh se nuk ishte ky votim propozim i qeverisë, por një procedurë e thjeshtë që asnjëherë më parë nuk është bllokuar në formën si është bërë tani.
Sipas saj, “kjo vetëm tregon që iu kanë shterur krejt format e opozitarizmit, që asnjëherë nuk i kanë pasur”.
“Nëse ne nuk debatojmë si të zgjedhurit e popullit për të dalë nga ky ngërç, nga kush të presim, nga ambasadat? Çfarë të drejte kanë ata të kontestojnë dialogimin?”, pyeti Kusari-Lila, duke iu referuar reagimit të deputetëve të partive tjera, të cilët deklaruan se Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka të drejtë të thërrasë për konsultime përfaqësuesit e partive politike, siç ka bërë sot.
Ajo po ashtu shtoi se nëse nuk dëshirojnë të bisedojë fare, “po mbesim kështu ose po drejtohemi për një palë zgjedhje të reja”.
Ndërkaq, bashkëpartiakja e saj, Albulena Haxhiu e përmbylli adresimin ndaj mediave duke thënë “I kemi votat, shihemi në seancën e radhës”.
Seanca tjetër është caktuar të mbahet pas 48 orësh, pra më 19 prill në ora 12:00.
Lushaku-Sadriu akuzon Deharin për bllokim të Kuvendit: S’e respektoi skenarin zyrtar të seancës
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku ka publikuar një dokument, me të cilin thotë se Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të Kuvendit nuk ka respektuar skenarin zyrtar të seancës së sotme.
Siç thotë ajo, për faktin e mungesës së shumicës, po e bllokon Kuvendin, transmeton klankosova.tv.
”Një papërgjegjësi totale.
Kryesuesi nuk e respektoi skenarin zyrtar të Seancës konstituive dhe bllokoi seancën.
Për mungesën e shumicës, bllokon Kuvendin!”.
LDK: Sërish Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit.
Në një njoftim të lëshuar për media LDK akuzuon Avni Deharin për shkelje të Rregullores së Kuvendit.
“Të njëzet deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin prezent. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë”.
“Skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte që të vazhdonin aty ku ishte ndërprerë kjo seancë më 15 prill. Prezent ishin 100 deputet, pra kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca”.
“Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin e tyre faktik për konstituim të Kuvendit dhe themelim të institucioneve”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv
Berisha pas ndërprerjes së seancës: Jemi duke luajtur pas gollës, s’kemi hyrë në fushë ende
Bekë Berisha nga AAK-ja ka folur pas ndërprerjes së dytë të seancës konstituive.
Berisha para mediave situatën e krijuar e lidhi figurativisht me futbollin.
“Jemi duke luajtur pas gollës. S’kemi hyrë në fushë ende”, deklaroi Berisha.
‘Ky raport duhet të kalojë. Partia që ka fituar më së shumti vota le ta konsumojë atë të drejtën e vet. Te shohim, a i kanë votat?! Kjo ndërprerje është bërë prej Vetëvendosjes”, theksoi ai.
Ai theksoi se problemi është se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat.
Vazhdimi i seancës konstituive pritet të ndodh të shtunën më 19 prill nga 12:00.
Abdixhiku: Qytetarët e panë se kush janë bllokuesit, kryesuesi bëri shkelje të rëndë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka folur pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku para mediave tha se qytetarët tashmë e kanë të qartë se kush janë bllokuesit e seancës, e ata janë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e seancës. Kryesuesi, i cili ka rastisur të jetë nga partia e parë, ndërpreu seancën e sotme kundër praktikës kushtetuese ndonëse kishte kushte për votim të raportit të komisionit verifikues”, deklaroi ai para mediave.
Kreu i LDK-së e akuzoi kryesuesin e seancës, Avni Deharin, se për shkelje të rëndë të praktikës kushtetuese.
“Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e pazakontë, sjellje e mbrapshtë politike. Por gjithsesi do të kthehemi sërish pas 48-orësh për të mbajtur të njëjtin qëndrim si Lidhje Demokratike e Kosovës”, tha ai.
“Do duhej të votohej dhe më pas vendimi final do të merrej nga votat e deputetëve të Kosovës”, deklaroi kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku para mediave, transmeton Klankosova.tv
Vazhdimi i radhës i kësaj seanca konstituive pritet të ndodh të shtunën nga ora 12:00./ Klankosova.tv
Krasniqi, VV-së: Po blejnë kohë, as pas dy dite s’do të kenë shumicë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit, sipas tij, ata duan të blejnë kohë për t’i mbledhur votat për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit.
“Partia që ka dalë e para, ish-pushteti, e uzurpoi një të drejtë kushtetuese. Unë mund të iu them që në mënyrë të organizuar kanë ardhë ta pengojnë seancën. Ka pasur ozurpim partiak”.
“I ftoj që mos ta mbajnë peng konstituimin e Kuvendit, themelimin e institucioneve. Këta nuk kanë shumicë parlamentare.Duan të blejën kohë, duan t’i bëjnë pazaret politike, të cilat edhe pas dy dite do t’i kenë në nivelin e njëjtë, nuk do të kenë shumicë”, ka thënë Krasniqi.
Haxhiu: Nuk pati konsensus nga takimi me partitë politike, VV e gatshme të kontriubojë
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka pohuar se partitë politike që ishin në takimin konsultativ të sotëm të thirrur nga Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, nuk patën konsensus.
Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të japë kontributin e vet.
“Nga takimi me përfaqësuesit e partive politike nuk pati asnjë konsensus, pra kishte qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën. Në këtë drejtim më duhet të theksoj faktin që letra që ka drejtuar Osmani tek Dehari kërkon të gjejmë zgjidhje të mos bllokohet konstituimi i Kuvendit”.
“Për të gjetur këtë zgjidhje duhet të kemi takime konsultuese, paraprakisht konsultime mes partive politike. Sot ishim të gatshëm të japim kontributin tonë për të gjetur zgjidhjet që i kemi para nesh”, ka thënë Haxhiu.
Kadrijaj: S’ka arsye që opozita të akuzohet për bojkotim të konstituimit të Kuvendit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kardijaj, tha se kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari kërkoi nga partitë politike të formohet një Komision i ri për verifikimin e mandateve.
Këtë iniciativë, Kadriaj tha se e refuzuan PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Sipas saj, Komisioni i konsoliduar më 15 prill e ka kryer punën e tij dhe raporti në parim konsiderohet i kaluar dhe do të duhej të hidhej në votim në seancën e sotme.
Përfundon takimi konsultativ i partive, deputetët në sallë
Të gjithë përfaqësuesit e partive politike kanë lëshuar takimin që është mbajtur për konsultime, e që ishte i thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.
Nga takimi dolën përfaqësuesit e LDK-së dhe AAK-së vetëm pak minuta pasi nisi takimi. Më pas dolën deputetët e zgjedhur të PDK-së dhe LVV-së.
Partia e dytë e këtyre zgjedhje kërkoi nga VV-ja dorëheqjen në pozitat e ekzekutivit që kanë pjesëtarët e saj.
Deri tani ende nuk dihet se cili ishte rezultati i këtij takimi konsultativ. Deputetët e zgjedhur tashmë janë në sallë.
Doarsa Kica-Xhelili: Dehari s’ka të drejtë të ftojë për konsultime përfaqësuesit e partive
Doarsa Kica-Xhelili, deputetja e zgjedhur e LDK-së, tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s’ka të drejtë që të ftojë akterët për konsultime politike.
Ajo tha ose Dehari duhet të kërkojë formimin e sërishëm të Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuorumit, ose të rivendosë në votim raportin e komisionit.
“LDK do të jenë në takim nuk e ka mandatin që të ftojë partitë politike në konsultime në këtë fazë”, tha ajo, duke shtuar se partia nuk ka hequr dorë nga kërkesa që anëtarët e Qeverisë të japin dorëheqje para se të bëjnë betmin si deputetë./REL/
Vazhdimi i seancës konstituive: Dehari i thërret për konsultime partitë
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i ka thirrur në konsultime partitë politike, për të diskutuar lidhur me vazhdimin e kësaj seance.
Por, në takim nuk kanë shkuar partitë opozitare që ishin në mandatin e kaluar, njofton Klankosova.tv.
Nuk dihet ende se si do të vazhdojë kjo seancë.
Derisa të martën, kjo u ndërpre për shkak të moskalimit të raportit për verifikimin e mandateve.
Haradinaj tek LDK-ja, flet me Abdixhikun e Kica-Xhelilin (FOTO)
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është parë në një moment diskutimi me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku me të filluar seanca konstituive.
Në bisedë duket të jenë inkuadruar edhe Kujtim Shala e Doarsa Kica-Xhelili, transmeton klankosova.tv.
Memli Krasniqi: Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi jonë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se nuk ka kuptim të ndryshohet qëndrimi i partisë sa i përket votimit të raportit të Komisionit pëverifikimin e mandateve.
Kështu tha ai, duke shtuar se kjo varet nga ndryshimi i rrethanave.
“Përderisa nuk ndryshojnë rrethanat nuk ndryshon as qëndrimi”, tha Krasniqi.
Deputeti Adem Hoxha ulet tek grupi parlamentar i AAK-së
Deputeti goran Adem Hoxha, është parë sot sërish i ulur tek Grupi Parlamentar i AAK-së.
Megjithatë kjo lë ende të paqartë pozicionin e tij, nëse ai i është bashkuar zyrtarisht partisë së Ramush Haradinajt, ky i fundit cili tha se mbetet i hapur për deputetët e pakicave, transmeton klankosova.tv.
Limaj s’tregon nëse do të votoj pro Qeverisë: Konstituimin e Kuvendit po e presin qytetarët
Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, për mediat ka folur edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai nuk ka treguar nëse do të votoj pro formimin të Qeverisë.
“Konstituiohet Kuvendi sipas procedurave. Besoj që është ajo që e presin qytetarët e Kosovës dhe të fillojë puna”, deklaroi ai para mediave.
Gjatë ditëve të kaluara, u raportua se ka një përafrim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismas Socialdemokratike.
Nisma këtë legjislaturë ka arritur që t’i sigurojë tre mandate nga koalicioni me AAK-në./ Klankosova.tv
Abdixhiku: Qëndrimi i LDK-së i pandryshuar, nuk mund ta votojmë shkeljen e Kushtetutës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se qëndrimi i LDK-së mbetet i pandryshuar.
Abdixhiku deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk mund ta votojnë shkeljen e Kushtetutës.
“I pandryshueshëm. Natyrisht se nuk e votojmë raportin. Nuk mund të votojmë një shkelje kushtetute në ceremoninë e betimit të deputetëve, është e palogjikshme. Qëndrimet e LDK-së jo vetëm që janë të menduara mirë, por janë edhe në frymë të mbrojtjes së demokracisë dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës. Prandaj deputetët e LDK-së nuk mund të shkelin kushtetutën. Nëse kjo kërkohet prej LDK-së, nuk do të bëhet asnjëherë”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave transmeton Klankosova.tv
Kurti injoron gazetarët, nuk tregon a i ka numrat
Sot do të bëhet përpjekja e dytë për konstituim të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa ka mbërritur në Kuvend, i ka injoruar pyetjet e gazetarëve lidhur me atë se a i ka siguruar numrat e nevojshëm.
Deputetët kanë filluar të mblidhen në sallë, teksa seanca konstituive është paralajmëruar në fillojë në ora 12:00.
Haziri: Dorëheqja e kabinetit qeverisës është kërkesë kushtetuese
Lufti Haziri nga LDK-ja tha se partia nuk ndryshon qëndrimin sa i përket votimit të raportit për verifikimin e mandateve.
LDK-ja kërkon që anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje zyrtare në Kuvend, dhe të mos mbajnë poste ekzekutive.
“Praktikisht, kjo kërkesë është kushtetuese”, tha ai, sa i përket dorëheqjes së anëtarëve të Qeverisë.
Adem Hoxha nuk përgjigjet se a ka kaluar te grupi parlamentar i AAK-së
Mediat sot kanë raportuar se deputet goran Adem Hoxha, ka kaluar tek grupi parlamentar i AAK-së.
Klankosova.tv ka kontaktuar me Hoxhën për ta konfirmuar këtë lëvizje, por ai ka refuzuar të përgjigjet.
Lidhur me këtë është deklaruar edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai u shpreh se është i hapur për bashkëpunim me komunitetet, por pa konfirmuar një veprim të tillë.
“Jemi të hapur për krejt deputetë e komuniteteve që s’kanë grup që të na bashkohen, meqenëse edhe neve na mungon ashtu një deputet për grup. Jemi të hapur për Ademin dhe për tjerë nëse ka…Po, duket po., Kemi fillu një marrëdhënie të përbashkët, por ai e konfirmon vetë. Por, ne jemi të hapur edhe për të tjerë nëse s’kanë grup”, ka deklaruar Haradinaj për mediat transmeton Klankosova.tv.
Haradinaj thotë se do të votojë si PDK dhe LDK për raportin për mandatet
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është e interesuar që deputetët të bëjnë betimin.
Por tha se sipas Ligjit për Qeverinë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë të ekzekutivit që janë zgjedhur deputetë është dashur që para certifikimit të rezultateve të japin dorëheqje.
Haradinaj se njohësit e ligjeve u kanë sugjeruar deputetëve që të mos votojnë raportin për mandate, sepse kjo, sipas tij, do të përbënte shkelje të ligjit.
“Do ta shqyrtojmë tani me kolegët deputetë [votimin ose jo të raportit], por AAK nuk do të ndahet, do të votojë bashkë si opozitë”, tha ai, duke iu referuar PDK-së dhe LDK-së.