19:55 - MASHTI: Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim
Në shumicën e shkollave në Kosovë mësimi sot nuk u mbajt.
Kjo për shkak të grevës të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Me këtë rast ka reaguar Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit.
MASHTI nëpërmjet një komunikate bëri thirrje që të respektohet e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë.
Sipas kësaj ministrie humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim.
“Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë ju bënë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla. Dyert e shkollave nuk duhet të mbyllen. Humbja e mësimit është cënim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim”.
18:21 - Drejtori i Financave në Gjilan: S’janë ekzekutuar pagat për askënd, mësimdhënësit ishin në grevë
Drejtori i Financave në Gjilan, Riad Rashiti, ka bërë të ditur se edhe në këtë komunë Sindikata e Arsimit i është bashkëngjitur grevës dhe se pagat për shërbyesit civilë ende s’janë ekzekutuar.
Ai tha se po përballen me një situatë shumë shqetësuese, teksa shtoi se sa i përket shëndetësisë administrata është duke ofruar shërbime për qytetarët e Gjilanit.
“Jo, fatkeqësisht ashtu si në nivel Kosove edhe në Gjilan nuk është ekzekutuar asnjë pagë në asnjë sektor, kështu që edhe ne përballemi me këtë situatë që është e papranueshme, pasi janë 2 mijë e 477 punonjës në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe administratës dhe nuk e kanë të qartë që në një moment kur pagat duhej t’u dilnin dje, ata as sot s’i kanë pagat për muajin e kaluar”, është shprehur Rashiti në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai tha se edhe te drejtoria të cilën ai e udhëheq është dorëzuar kërkesa për t’i marrë të dhënat e personave që kanë qenë në grevë.
“Ne dje s’ua kemi dërguar, pasi s’kemi pasur listë, sepse dje s’ka pasur grevë arsimi, për administratë s’kemi dërguar listë sepse ka funksionuar dhe njësoj ka qenë edhe sektori i shëndetësisë”.
“Ndërsa sot, kanë përsëritur kërkesën për t’i informuar me numrin e mësimdhënësve që kanë qenë në grevë. Ne sot s’kemi pasur mundësi t’i marrim, pasi është një strukturë e gjerë për të cilat merr kohë dhe në praktikë greva ka filluar dhe s’ka pasur mësim në asnjë shkollë”.
18:19 - Veselaj-Gutaj: Të gjitha shkollat në Prizren janë në grevë
Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka thënë se të gjithë mësimdhënësit në komunën e Prizrenit janë në grevë.
Në një lidhje direkte në "Info Magazine" në Klan Kosova, ajo ka theksuar se mësimdhënësit e kanë të drejtën e tyre dhe në këtë rast janë duke e mbështetur grevën e thirrur nga Sindikata e Arsimit.
“Sot nuk është mbajtur mësimi. Të gjithë mësimdhënësit dhe të gjitha shkollat e kanë mbështetur grevën e thirrur nga sindikata e arsimit”.
“Realisht mësimdhënësit lajmërohen në punë nga data 15 gusht dhe kanë filluar t’i bëjnë përgatitjet për vitin e ri shkollor. Mirëpo ata e kanë të drejtën e tyre dhe në këtë rast e mbështesin grevën”.
18:04 - Halilaj: Të gjithë mësimdhënësit në Gjakovë janë në grevë
Drejtori i Financave në Gjakovë, Durim Halilaj, ka thënë se të gjithë arsimtarët e kësaj komune janë në grevë.
“Në bazë të raporteve që kemi marrë sot të gjithë arsimtarët janë në grevë. Ne konsiderojmë se Qeveria dhe sindikatat duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që të normalizohet gjendja”, ka deklaruar ai në “Info Magazine” të Klan Kosovës.
Halilaj ka konfirmuar se 2252 punëtorë të sektorit publik nuk kanë marrë pagë në Gjakovë.
“Ende nuk janë ekzekutuar pagat në komunën e Gjakovës. Sa i përket listave duhet të potencojmë se ne kemi marrë një shkresë nga Thesari për të verifikuar se kush është duke punuar e kush jo, por kjo ka qenë e pamundur që brenda katër orëve të verifikohet”.
15:05 - LDK-ja, thirrje qeverisë që të dialogojë me mësimdhënësit për të gjetur zgjidhje
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin për mosfillimin e vitit shkollor në gjithë Kosovën.
Në një konferencë të thirrur për media, Jehona Lushaku e kësaj partie u shpreh se sot nxënësit do të duhej t’i takonin mësimdhënësit e tyre, por në vend të kësaj kemi një situatë kur të gjitha shkollat janë të mbyllura për shkak të, siç tha, papërgjegjësisë së kësaj qeverie për të dialoguar për kërkesat e mësimdhënësve dhe për të gjetur zgjidhje vetëm për të mos u humbur viti shkollor.
Sipas saj, në këtë situatë qeveria ka shkaktuar pakënaqësi te mësimdhënësit dhe mbyllje të shkollave duke mos dhënë aspak përgjegjësi.
Po ashtu ajo adresoi kritika edhe për mos ekzekutimin e pagave.
“Për herë të parë në historinë e arsimit të Kosovës, pagat për mësimdhënësit nuk janë ekzekutuar. Kjo tregon për gatishmërinë e kësaj qeverie për t’i dënuar mësimdhënësit. Ky vendim është tërësisht joligjor. Nuk ka asnjë baze juridike që pagat të ndalen kolektivisht për punëtorët publikë, e ne veçanti për punëtorët e arsimit”.
“Në emër të LDK-së i bëj thirrje qeverisë që ta merr me shumë seriozitet situatën, t’i thërrasë menjëherë të gjitha palët për t’i adresuar kërkesat dhe të gjejnë një zgjidhje që sot për mësimdhënësit dhe të zhbllokohen institucionet arsimore, fëmijët t’i kthehen nesër shkollës dhe të bëhet menjëherë ekzekutimi i pagave për mësuesit e mësimdhënësit e gjithë sistemit arsimor”.
“Jemi kundër çdo mase që të dënohen mësimdhënësit. Qeveria e bën këtë në një krize ekonomike kur njerëzit kanë nevojë për pagë”, deklaroi Lushaku.
14:50 - ‘’Diku në terr e diku në dritë’’, Musmurati takon mësimdhënësit: Nuk i dorëzojmë qeverisë lista përçarëse
Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka takuar sot edukatorë dhe mësimdhënës të kryeqytetit.
Musmurati shprehet përmes facebook se ata nuk duan kërcënime por dialog, dhe se pavarësisht kërkesës, qeverisë, siç shkruan ajo, nuk do t’i dorëzojnë lista përçarëse, përcjell klankosova.tv.
”Diku në terr e diku në dritë po takohem me edukatoret e mësimdhënësit e Prishtinës. Gjendje e rëndë e shumë dëshpërim për mosnisjen e vitit shkollor. Ata kërkuan dialog, ata nuk duan kërcënime. Në këtë linjë, i sigurova që Komuna e Prishtinës do të kontribuojë në rritje të dialogut e asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e përçarjes. Dje kemi ofruar mbështetje për Ministren Nagavci që të ndërmjetësojmë dialogun me SBASHK-un. Fatkeqësisht, Qeveria refuzoi gatishmërinë tonë dhe na kërkoi listat e grevistëve. Por ne nuk do të dorëzojmë lista përçarëse. Ne kërkojmë dialog përbashkues që mësimi të fillojë sa më parë”.
13:54 - PDK: Sot, Qeveria Kurti mbylli shkollat për fëmijët
Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për t’i lënë nxënësit pa mësim dhe mësimdhënësit e shërbyesit civilë pa paga.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se kryeministri Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru, duke u shpallur luftë mësimdhënësve, sepse ai nuk do dialog social, por nënshtrim, transmeton klankosova.tv.
“Albin Kurti, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci sot i kanë lënë fëmijët e Kosovës pa shku në shkollë. Sot ishte dashur të ishte ditë feste në gjithë Kosovën, e sidomos për fëmijët që nisin klasën e parë e që shkëlqimin e syve të tyre sot nuk e panë as prindërit e tyre. Sepse, Albin Kurti që dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë, sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga sepse janë në grevë dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide e të rënduar”, tha ajo.
Hoxha tha se mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës, por ata po injorohen totalisht nga qeveria.
“Pra, si ka mundësi që fokusi i kësaj qeverie janë është vetëm tek nxënësit ndërsa mësimdhënësit të përjashtuar nga harta e interesit institucional. Mbi 340,000 fëmijë sot janë jashtë bankave shkollore. Mbi 80,00 familje e kanë mirëqenien e rënduar për shkak të ndalesës së pagave të anëtarëve të tyre. Dhe ironia në anën tjetër është që ministrja Nagavci, sot në vend se të ishte me mësimdhënës e nxënës në ndonjë shkollë duke e festuar fillimin e vitit të ri shkollor, sot ajo promovon Abetaren e përbashkët me Shqipërinë në një ditë kur shkollat janë të mbyllura”, shtoi ajo.
12:21 - Kurti: Ligji i Pagave javën tjetër në diskutim publik, koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Ligji i Pagave do të del në diskutim publik javën tjetër.
Sipas tij, koeficienti për mësimdhënësit do të jetë më i mirë se në të kaluarën, ndërsa u bëri thirrje mësimdhënësve që t’i japin fund grevës.
Këto deklarata kreu i ekzekutivit i bëri para mediave, pas ceremonisë së përurimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri që u mbajt në Gjakovë.
“E kuptoj që greva është instrument i sindikatave, por sindikatat nuk bën të jenë instrument i bojkotit të Qeverisë e shtetit. Shkolla nuk bën të bojkotohet. Është e drejt elementare e çdo fëmije që të edukohet”.
“Shpresoj se do të vazhdojë mësimi. Asnjë ditë e humbur e mësimit nuk kompensohet kollaj. Ju bëj thirrje prindërve e mësimdhënësve që ta kuptojnë se jemi në një moment historik dhe nuk bën të braktiset mësimi”.
“Sa i përket Ligjit të Pagave, ai tashmë ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik. Koeficienti për mësimdhënësit është më i mirë se kurdo herë në të kaluarën”, deklaroi mes tjerash Kurti.
Tutje, Kurti u shpreh se për mësimdhënësit i kanë parasysh edhe përgjegjësitë menaxheriale të tyre dhe se do t’i vlerësojnë sipas performancës e përgatitjes profesionale të tyre.
“Nuk ka kurrfarë urrejtje apo hakmarrje ndaj askujt.
Por, një gjë duhet ta kuptoni – s’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”.
12:07 - BSPK: Ndërhyrja e qeverisë në rrjedhën e grevës është joligjore, grevistët janë të vendosur
BSPK njofton se greva e përgjithshme është duke u zhvilluar, dhe është shtrirë në të gjitha nivelet e shkollave dhe në administratat komunale në gjithë vendin, pa probleme e plotësisht sipas rregullave dhe normave ligjore.
Sipas një njoftimit për media, thuhet se të punësuarit grevistë janë edhe më të vendosur në të drejtën e tyre e sidomos pas kërcënimeve aspak të mira dhe rrënuese për demokracinë.
“Ndërhyrja e Partnerit Social – Qeverisë në rrjedhën e grevës është joligjore dhe këtë do të duhej ta di mirë Partneri ynë Social – Qeveria. Është ligji ai që të punësuarit grevist ia jep këtë të drejtë e cila nuk duhet t’i cenohet e as që mund t’i cenohet dhe as t’i merret nga askush e aq më pak nga Partneri ynë Social – Qeveria e cila e ka për detyrë t’i mbrojë dhe t’u dalë krah veprimeve ligjore duke e krijuar mjedisin e duhur dhe të shëndetshëm për funksionimin normal e ligjor të shoqërisë. Tërheqja nga greva nuk do të ndodhë e as që mund të ndodhë, se ashtë joligjore – dhe ligji për grevën detyron të punësuarin të bëhet grevist e të hidhet në grevë”, thuhet në njoftim.
“Është ligji ai i cili të punësuarin e detyron të përdorë dhe të organizojë grevën si mjetin e fundit të presionit sindikal sa herë që dështojnë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit me mjete të tjera ligjore. Dhe të punësuarit grevistë i shtjerrën të gjitha mjetet e presionit sindikal dhe gjatë këtij rrugëtimi edhe u shpërfillën dhe nuk u morën e nuk u pranuan seriozisht kërkesat e tyre të arsyeshme e ligjore. Dhe po ligji është ai që mund t’i thërrasë në tërheqje të punësuarit grevistë, dhe kjo arrihet vetëm e vetëm atëherë kur Partnerët Social, këtë rast Qeveria dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ulen në tavolinën e dialogimit social dhe e gjejnë zgjidhjen e duhur dhe rrugën e duhur për plotësimin e kërkesave të të punësuarve grevistë”.
Tutje, nga BSPK thonë se si gjithherë e edhe tash është në pritje të hapjes së dialogut të mirëfilltë social midis Partnerëve Socialë ashtu si e do rregulli dhe si e thotë ligji, transmeton Klankosova.tv.
11:30 - ETEA: SBAShK-u dhe MAShTI urgjentisht të angazhohen për të mirën e nxënësve
Organizata e arsimit ETEA është duke e ndjekur me shqetësim situatën e krijuar nga institucionet relevante të arsimit dhe sindikatat.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se për nxënësit është duke u mohuar e drejta themelore për arsim dhe simbolikës së ditës së parë të shkollës, pas grevës që është duke u zhvilluar.
“Është po kaq e pajustifikueshme ngarkesa emocionale dhe konfuzioni mendor që u shkaktohet fëmijëve për pothuajse çdo fillim të vitit të ri shkollor. Sektori i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe për këtë janë të vetëdijshëm krerët e institucioneve dhe sindikatave. Por, në njërën anë Qeveria e Kosovës duke mos e prioritizuar arsimin, kurse në anën tjetër sindikatat duke shkaktuar bllokadë totale të arsimit në mënyrë të përsëritshme (instrumenti më ekstrem sindikal), qartazi po shpërfaqin papërgjegjësinë e tyre profesionale dhe humane në raport me fëmijët dhe vendin”.
“Organizata ETEA konsideron se është urgjente dhe kërkon nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) që të mos i shndërrojë fëmijët në instrument sindikal, por të shfrytëzojë mënyra tjera të të bërit presion ndaj institucioneve për mirëqenie të mësimdhënësve/eve, qëllim ky për të cilin ETEA padyshim se e mbështet dhe angazhohet vazhdimisht”.
“Tutje, ETEA e konsideron urgjente dhe i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) që të vihet në krye të detyrës duke u angazhuar për dialog dhe gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e pakënaqësive pasi kjo është detyrë dhe përgjegjësi e plotë e kësaj të fundit”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.
11:09 Nagavci: Shqetësimin për grevat e ndajmë bashkërisht, arsimi është prioritet
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shqetësimin për vazhdimin e grevave në arsim, shkak i të cilave fëmijët nuk e nisën mësimin më 1 shtator, e ndajnë bashkërisht me prindërit, mësimdhënësit e të gjithë të tjerët.
“E di se sot shumë nxënës, për shkak të grevës së shpallur nga BSPK-ja nuk janë në klasat e tona, por jam e bindur se shqetësimin e ndajmë bashkërisht, bashkë me prindërit, bashkë me mësimdhënësit, me të gjithë të tjerët, andaj për qeverinë tonë arsimi është prioritet”, tha Nagavci, transmeton Klankosova.tv.
Ministrja i bëri këto komente në fjalën e saj të rastit, gjatë ceremonisë së përurimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri.
“Kemi bërë ndryshime, rezultatet e të cilave tashmë i kemi parë dhe kemi punuar e po angazhohemi çdo ditë”, shtoi ajo.
09:58 - Jasharaj: Sa mirë do të tingëllonte zilja sot, por greva do të vazhdojë
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka ripërsëritur se greva nuk do të ndalet derisa qeveria t’ua bëjë një zgjidhje.
Gjatë vizitës së këshillit grevist të BSPK-së në shkollën “28 Nëntori”, ai tha se greva do të përfundojë dikur, por siç potencoi Jasharaj, dikush do të turpërohet.
Sipas tij, ata që do të turpërohen janë ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“I kemi kërkuar 100 euro si mesazh qeverisë që e kemi dorën e qeverisë që në këtë krizë po na ndihmon bile pak. Nuk është ky moment që na gëzon sepse më 1 shtator sa mirë do të tingëllonte zilja, por kemi ardh në pozicion kur s’kemi dialog, i kemi harxhuar të gjitha, kemi dërguar edhe ndërmjetësues të ndërhyjë. Nuk e kemi pas e as nuk e kemi mendjen kurrë të tradhtojmë zërin tuaj, të urojmë që qeveria të ulet. Ne do të vazhdojmë ku ka njeri me vullnet të mirë që do ta mundësojë të dialogojmë që të gjejmë zgjidhje. Por pa zgjidhje e pa kërcënime, e kanë të kotë sepse ne jemi në rrugën e Zotit, s’do të lëvizim asnjë milimetër”.
“Greva do të përfundojë kur thoni ju, kur qeveria t’i zgjidh kërkesat tona, greva s’do të përfundojë tinëz. Edhe grevat do të përfundojnë dikur, por dikush do të turpërohet. E ai që do të turpërohet më së shumti është ministri Hekuran Murati dhe ministrja Arbërie Nagavci, sepse ajo do të duhej të ishte zëri ynë. Nëse dorëzohemi tani, këta s’kanë me ditë me u ndal, do të bëjnë edhe veprime të tjera, por nëse tani qëndrojmë siç dimë ne do të jemi fitues”.
Jasharaj tutje njoftoi se e kanë përgatitur dhe dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Muratit, për deklaratat se grevistët s’do të marrin paga.
“E ai kur të thirrin le t’i vendos letrat në tavolinë, se paska drejt ai thua se janë paratë e tij. Nuk e ka sjell ai këtë buxhet prej shtëpisë së vet. Buxheti është edhe i popullit dhe ndaja njerëzve që i shërbejnë popullit”, tha Jasharaj, njofton Klankosova.tv.
09:32 - KOMF: Nëse sot s’fillon mësimi, 320 mijë nxënësve u mohohet e drejta themelore për arsim
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës, deklarojnë se nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320 mijë nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
Me anë të një komunikate për media thuhet se në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’u mohohet rreth 25 mijë fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës”.
“KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët”, thuhet në kumtesën e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.
09:26 - 1 shtatori e gjen arsimin në grevë
1 shtatori edhe sivjet i ka gjetur mësimdhënësit në Kosovë në greva, kurse nxënësit jashtë bankave shkollore.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë dje se të kishte mirëkuptim nga ana e qeverisë, sot do ishte fillimi i vitit të ri shkollor, por siç tha ai, të gjitha mundësitë janë harxhuar dhe me këtë shkak, punëtorët e arsimit do të jenë në grevë.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë të mërkurën se sot do të nisë fillon viti i ri shkollor në të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe atë të lartë.
Edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka dalë kundër SBAShK-ut lidhur me grevën në arsim, duke thënë se është e papranueshme që më 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi.