Lajmet e fundit

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po protestojnë para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Protesta e veteranëve vjen pasi Kuvendi i Kosovës të martën, e ka kaluar projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro.
Me anë të kësaj proteste ata do të shprehin kundërshtinë lidhur me aprovimin në parim të Projektligjit për rritjen e pagës minimale ku nuk përfshihen pensionet e veteranëve.
Këta të fundit organizuan edhe një protestë tjetër e cila u mbajt më 6 qershor, dhe e cila e kishte penguar vazhdimin e seancës së paraparë për atë ditë, kur projektligji nuk qe miratuar në mungesë kuorumi.
17:04 - Arrestohen Dardan Molliqaj dhe Frashër Krasniqi
Është arrestuar kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj si dhe Frashër Krasniqi e Zgjim Hyseni nga PSD-ja sapo janë arrestuar nga policia, në protestën e veteranëve të OVL-UÇK-së.
17:01 - Përfundon protesta, shpërndahen veteranët
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen.
Me këtë rast ka ndodhur edhe përfundimi i protestës, gjë kjo që ndodhi pas mbylljes së seancës.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot protestuan për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale.
Që nga fillimi i protestës kërkesa e tyre ishte ndërprerja e seancës së Kuvendit të Kosovës dhe marrja parasysh e kërkesave të tyre për përfshirje në këtë projektligj.
16:24 - Veteranët tentojnë të hyjnë në Kuvend, Klinaku u bën thirrje të qetësohen
Veteranët protestues janë duke tentuar që të hyjnë në Kuvendin e Kosovës teksa aty pritet të vazhdojë seanca plenare.
Faton Klinaku nga OVL-ja u ka kërkuar veteranëve që të qetësohen dhe të mos bëjnë presion mbi pjestarët e Policisë së Kosovës, njofton Klankosova.tv.
Tensionimi i protestuesve ka bërë që Policia e Kosovës të mobilizohet dhe të njëjtit të mos i lejoj të hyjnë brenda objektit e Kuvendit.
15:45 - Kuvendi në pauzë, veteranët ia thonë këngës
Kuvendi i Kosovës ka shkuar sërish në pauzë njëorëshe, derisa veteranët po vazhdojnë protestën.
E në vazhdim të saj, ata po protestojnë duke kënduar, përcjell Klankosova.tv.
Në pamjet e Klan Kosovës shihet se një numër i veteranëve është mblëdhur dhe po ia thonë këngës.
15:41 - Klinaku: Takimeve nuk u kemi ikur kurrë, por do të qëndrojmë këtu derisa seanca të ndërpritet
Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka treguar se kanë marrë një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin Kurti, nesër në ora 09:00.
Ai është shprehur se ata asnjëherë nuk u kanë ikur takimeve, megjithatë u shpreh se seanca duhet të ndërpritet.
Klinaku tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë derisa kjo gjë të ndodh, përcjell Klankosova.tv.
“E morëm një ftesë zyrtare për takim me Kryeministrin, Ministrin e Financave dhe një anëtar për buxhet dhe financa që është për takim nesër në ora 09:00, kjo ishte një kërkesë e jona, sepse ne takimeve nuk u kemi ikuar asnjëherë, por kërkesa jonë qysh në mëngjes ka qenë që të ndërpritet seanca dhe kemi thënë që të mos mbahen kurrfarë seancash derisa këta e kanë shkel ligjin, derisa të ulemi e të bisedojmë, ta kthejmë ligjin në vend ku ka qenë, ne do të qëndrojmë këtu, këta duhet ta ndërprejnë seancën e sotme”, u shpreh ai.
15:28 - Këshilltarja e Kurtit ia dorëzon Klinakut ftesën për takim, po shqyrtohet nga organet e OVL-së
Njëra nga këshilltaret e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ia ka dorëzuar ftesa për dialog ushtruesit të detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.
Gjatë pranimit të ftesës, Klinaku tha se ftesën do ta shqyrtojnë në organet drejtuese.
“Ne do ta shqyrtojmë ftesën në organet drejtuese. Ne gjithmonë kemi qenë për dialog”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.
Momentalisht ftesa për takim është duke u shqyrtuar nga organet drejtuese të OVL-së së UÇK-së.
15:10 - Klinaku: Seanca duhet të ndërpritet, bisedimet duhet të bëhen sot, jo nesër
Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka ritheksuar se seanca duhet të ndërpritet.
Në një intervistë për Klan Kosovën ai tha se bisedimet duhet të bëhet sot dhe jo nesër.
Tutje, Klinaku u shpreh se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë aty, derisa seanca të ndërpritet, përcjell Klankosova.tv.
“Duhet të ndërpritet kjo seancë, ska kuptim me mbajtë seancë kur e kanë shkel ligjin. Ftesa për takim në foltore, ftesa duhet të bëhet në formë zyrtare. Nëse ndërpritet seanca për sot, as ne nuk kemi çfarë të qëndrojmë këtu, seanca duhet të ndërpritet, bisedimet duhet të bëhen sot, jo nesër”.
14:45 - Klinaku: Konjufca po mendon që po na lodhë duke bërë pauzë, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë
Kuvendi i Kosovës ka shkuar sërish në pauzë, ku kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se pauza do të jetë njëorëshe.
E në lidhje me këtë ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i cili tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë aty, përcjell Klankosova.tv.
“Konjufca po mendon që po na lodhë duke bërë pauzë, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë”, është shprehur ai.
14:28 - Veteranët e duan sot takimin me Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se nesër do t’i pres nesër në takim veteranët e UÇK-së, të cilët sot po protestojnë.
Këtyre të fundit, lajmin për takim ua dha Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, njofton Klankosova.tv.
Mirëpo, veteranët nuk po pranojnë një gjë të tillë, duke kërkuar që takimi të bëhet sot.
14:13 Kryeministri Kurti: Veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria ka ndarë afërsisht 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta.
Në fjalën e tij në seancën e sotme, ndërsa jashtë po mbahet protesta e veteranëve, ai tutje tha se respekti për ta po shprehet me buxhet, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë, dhe se veteranët e vërtetë të kenë kompensim më të lartë se paga minimale, njofton Klankosova.tv.
“Qeveria me politikat e saj dhe deklarimet e saj ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në çlirimin e vendit, për veteranët dhe invalidët e UÇK-së, familjet e dëshmorët e kombit dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë. S’besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes për veteranët e UÇK-së, ne mund të dallojmë në bindjen tonë mbi numrin e tyre dhe ky është një debat në shoqërinë tonë dhe në kuvend".
"Qeveria i ndan 120 milionë euro përafërsisht për kategoritë e dala nga lufta, e që është më shumë sesa për mbrojtjen e vendit, pra për veteranët e invalidët e luftës, për familjet e dëshmorëve, shuma është rreth 120 milionë euro. I bie 1.5 për qind të bruto produktit vendor që është më lart sesa për mbrojtjen dhe sigurinë. Respekti po shprehet me buxhet, por kur shikon përbërjen e përmbajtjen aty ne kemi pas vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë e vazhdojmë të kemi vërejtje edhe sot e kësaj dite, sepse konsiderojmë se pjesëmarrës në luftën çlirimtare kanë qenë edhe më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë”.
Shefi i qeverisë tha se fryrja e numrit të veteranëve është gabim për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe të huajve që do të vijnë dhe do ta studiojnë luftën e Kosovës.
“Ky është gabim edhe për historinë që iu mësohet fëmijëve dhe brezave të rinj, sepse është diçka e pavërtetë të konsiderohet një numër i tillë edhe për librat tonë të historisë edhe për brezat e rinj, e besa edhe për të huajt që do të vijnë e do ta studiojnë luftën tonë. S’mund të mashtrojmë askënd dhe s’duhet të mashtrojmë askënd. Duhet t’i përmbahemi të vërtetës. Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë.
“Ka pasur mjaftueshëm veteranë të UÇK-së dhe askush s’ka nevojë ta fryjë atë, pjesëmarrës edhe më shumë se aq, veteranë shumë më pak se aq. Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin, paga minimale e ka shprehjen minimale për brenda, pra paga është ajo që ipet për punën që bëhet, paga është në kohën e tashmë të vazhdueshme. Nuk jepet paga për diçka para 23 vjetëve. Veteranët e UÇK-së të kenë kompensim mirënjohje, falënderim më të lartë se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre”.
13:47 - Kurti: S’po shkoj në Forumin e Prespës, po i pres veteranët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e anulon pjesëmarrjen në Forumin e Prespës në Maqedoninë e Veriut, për t’i pritur përfaqësuesit e organizatave të veteranëve.
Ai tha se do t’i presë bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, për t’i dëgjuar ata dhe për të diskutuar për të gjitha, njofton Klankosova.tv.
“Ajo që propozoj sot është të anuloj pjesëmarrjen time në Forumin e Prespës dhe po pres në takim bashkë me Hekuran Muratin, udhëheqësit e organiztës së veteranëve të luftës së UÇK-së dhe po i dëgjoj e t’i diskutojmë të gjitha”, është shprehur Kurti.
Kurti tutje tha se përfaqësues i protestës nuk është një deputet i opozitës, duke iu drejtuar Abelard Tahirit, i cili foli në emër të veteranëve.
“Ata janë përfaqësues të protestës jo një deputet i opozitës. Nga Tahiri dëgjova se së pari u prezantua në emër të opozitës pastaj foli në emër të tyre”.
Ndër të tjera, kryeministri tha se nuk ka pse të ndërpritet seanca.
“Do t’i takoj veteranët se padyshim që jam për të drejtën e protestës dhe jam për dialog, por seanca nuk ka pas të ndërpritet, është gabim të ndërpritet, duhet të vazhdoj sepse ka shumë pika”, tha kryeministri.
13:45 - Disa veteranë protestojnë nën hije
Po vazhdon edhe më tej protesta e veteranëve e UÇK-së për të kundërshtuar Projektligjin për pagën minimale.
Por, disa pjesmarrës kanë zgjedhur një formë më të përshtatshme për të protestuar, përcjell Klankosova.tv.
Në pamjet e siguruara nga Klan Kosova shihet se disa veteran po protestojnë nën hije.
1:32 - Rinis seanca e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit janë rikthyer në seancë pas pauzës rreth një orëshe.
Ata e ndërpren seancën pasi u penguan nga opozita.
13:30 - Një veteran përfundon në emergjencë
Një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar në emergjencë.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar mjeku Avdush Bajgora.
Bajgora tha se ai ka ardhur pa vetëdije në QKUK.
“Atij i ka humbur vetëdija. Pra, është sjell pa vetëdije. Jemi duke ia bërë ekzaminimet e nevojshme dhe do të shohim”- tha ai.
Gjatë ditës së sotme, veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po e mbajnë një protestë para Kuvendit të Kosovës.
Protesta po mbahet në shenjë pakënaqësie të mospërfshirjes në Projektligjin për pagën minimale.
Ata po qëndrojnë para kuvendit edhe në këto temperatura të larta.
Veteranët janë zotuar se do të qëndrojnë aty deri në realizmin e kërkesave të tyre.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që t’i thërras veteranët në takim, pas protestës së sotme.
Ajo, gjithashtu i tha Kurtit që sipas saj, të mos i përbuz veteranët duke mos i ftuar.
“Pranoje amandamentimin e ligjit. Mos krijo tensione”, ka shkruar Çitaku, transmeton Klankosova.tv.
Kujtojmë se veteranët janë duke protestuar në oborrin e kuvendit për mospërfshirjen e tyre në ligjin për pagën minimale.
12:18 - Tahiri, veteranëve: Shpresojmë që qeveria t’iu thërras në takim
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, bashkë me deputetë të tjerë kanë dalë përpara protestuesve veteranë.
Tahiri tha se kërkuan që seanca të ndërpritet dhe kërkuan nga qeveria që bashke me komisionin për Buxhet dhe Financa të mblidhen dhe të arrijnë ta gjejnë një zgjidhje për përfshirjen e kategorisë së veteranëve të luftës në kuadër të pagës minimale.
“Dhe nuk do të lejojmë që të vazhdojë seanca tutje pa u ulur përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës bashkë me qeverinë e komisionin për Buxhet dhe Financa”.
“Kjo është një kërkesë minimale dhe kërkesë e dinjitetshme që ne si përfaqësues të qytetarëve në kuvend do ta kërkojmë që të ndodh”, është shprehur Tahiri, njofton Klankosova.tv.
Ai tha se deri në orën 13:00 deri kur është kuvendi në pauzë, shpresojnë që qeveria do të reflektojnë dhe ta gjejnë një zgjidhje.
12:08 Veterani nga Prizreni: I numëroj në gishta në këtë protestë sa kanë luftuar me pushkë në dorë
Gazmend Kabashi, njëri nga veteranët pjesëmarrës në protestën e sotme ka thënë se protesta ka shkuar mirë dhe se qëllimi i tyre s’ka qenë të bëjnë rrëmujë e të futen në parlament.
Ai tha se në protestën e sotme më shumë ka ardhur të shoh se kush po merr pjesë në protestë, teksa shtoi se në këtë protestë i numëron në gishta veteranët e vërtetë.
“Ne s’kemi luftuar për para, kur ka qenë lufta askush s’ka folur se ne do të marrim para, por kemi luftuar për ta çliruar Kosovën. Sot, më shumë kam ardhur këtu
Tutje, Kabashi tha se policia e ka bërë punën si duhet, e që sipas tij, në mesin e tyre ka edhe ushtarë që kanë luftuar bashkë në vijën e parë të frontit.
12:04 - Protestuesit ulen këmbëkryq në oborrin e Kuvendit
Po vazhdon protesta e veteranëve para Kuvendit të Kosovës.
Në këtë mënyrë, ata po shpresin pakënaqësitë lidhur me mospërfshirjen e tyre në Projektligjin e pagës minimale.
Disa prej tyre, janë ulur këmbëkryq në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, seanca e paraparë për sot ka shkuar në pauzë deri në orën 13:00 për shkak të zhvillimeve të fundit, njofton Klankosova.tv.
11:45 - Klinaku fton protestuesit për Trustin t’u bashkohen veteranëve
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka ftuar protestuesit për Trustin t’u bashkohen atyre.
Ai është shprehur se trusti është i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve, përcjell Klankosova.tv.
“Trusti është i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve, prandaj ata që protestojnë për tërheqje të Trustit, lirisht mund të na bashkohen në protestën tonë sepse në protestën tonë do të ketë përkrahje edhe ndaj tyre”, u shpreh ai.
11:28-Veterani ia vendos policit emblemën e UÇK-së
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar në kundërshtim të Projektligjit për pagën minimale.
Protesta e tyre po zhvillohet para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, përcjell Klankosova.tv.
E gjatë kësaj proteste Klan Kosova në transmetim direkt ka kapur një moment ku shihet një veteran teksa ia vendos policit emblemën e UÇK-së.
11:08 - Kadriaj, Kurtit: I keni detyruar veteranët të dalin dhe të kërkojnë lëmoshë
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadriaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka detyruar veteranët e luftës të kërkojnë lëmoshë.
Kadriaj ka kërkuar që të ndërpritet seanca dhe të nis dialogu me kategoritë e dala nga lufta.
“Sot ti Albin Kurti, i ke detyruar të dalin dhe të kërkojnë lëmoshë. është një e drejtë e tyre që ua garanton Kushtetuta, ligji, mundi dhe kontributi i tyre “- tha Kadriaj.
“Unë propozojë që kjo seancë të ndërpritet dhe të fillojë dialogu me kategoritë e dala nga lufta” – tha ajo.
Jashtë Kuvendit të Kosovës po veteranët e luftës po e mbajnë një protestë për shkak të pakënaqësive ndaj mospërfshirjes së tyre në Projektligjin për pagën minimale.
10:08 Protestuesit hyjnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës
Protestuesit e kanë çarë korodinin e policisë ku tashmë kanë hyrë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Thirrje që të mos kenë probleme me policinë ka bërë u.d i kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.
10:07 Tensione përpara kuvendit
Janë krijuar tensione përpara Kuvendit të Kosovës ku protestuesit duke shtyrë kanë tentuar që ta çajnë kordonin e policisë të cilët e kanë rrethuar kuvendin.
Thirrje që të mos kenë probleme me policinë ka bërë u.d i kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku.
09:59 Klinaku, policisë: Merrni masa, po provokohemi me gishta nga kuvendi
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa pasi sipas tij, nga dritaret e kuvendit po provokohen.
“I drejtohemi Policisë së Kosovës që të ndërmarr masa sepse nga dritaret e kuvendit janë duke provokuar me gishta”, është shprehur Klinaku, njofton Klankosova.tv.
Ai tutje tha se në bazë të informatave që kanë, pushteti do ta provokojë situatën, teksa i bëri thirrje pjesëmarrësve që të mos kenë probleme me policinë.
“Në bazë të informacioneve, pushtetit do ta provokojë situatën dhe ju kisha lutur juve pjesëmarrësve që ne me policinë s’kemi problemi, janë shokët tanë. Kërkoj nga pushteti i cili po bën provokime që t’i ndalojë ato dhe ta tërheq ligjin shkel aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Klinaku, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se protesta e OVL-së së UÇK-së ka pasur të nis në ora 09:30, por kjo është shtyrë me arsyetimin se ka masë të madhe rrugës dhe po i presin edhe ata.
09:48 -Nis protesta e veteranëve, Klinaku: Protestat tona do të vazhdojnë sa herë që këta kanë seanca
Ka nisur protesta e veteranëve të Kosovës, të cilët janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit.
Para masës, Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, ka thënë që këto protesta do të vazhdojnë.
"Protestat tona do të vazhdojnë sa herë që këta kanë seanca", ka thënë ai.
Ndryshe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po protestojnë kundër projektligjit për pagën minimale në të cilin nuk janë përfshirë edhe kjo kategori e luftës.
09:18 - Vetaranët e Vushtrrisë të parët që arrijnë në protestë
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar sot për mbajtjen e një protestë gjithëpopullore në shenjë pakënaqësie për miratimin e Ligjit për pagën minimale.
Të parët që kanë arritur në protestë janë veteranët e Vushtrrisë.