Lajmet e fundit

Shtohen zerat në Partinë Socialiste që kërkojnë zbatimin e statutit të partisë, njësoj siç ka kërkuar fillimisht deputeti Ben Blushi. Së fundi janë personalitete të njohura të kësaj partie që kanë nënshkruar një kërkesë drejtuar Komisionit të Garancive Statuore të interpretojë shkeljet e statutit të PS-së.
Në listë janë emra si Mimoza Hafizi, Rexhep Meidani, Ndre Legisi, Petrit Ago, Marko Bello, Arta Dade, Suzana Hakrama, Tritan Kalo, Mark Nikolli, Namik Kopliku e Ben Blushi. Më poshtë kërkesa e plotë e këtij grupi drejtuar Alket Hysenit, kreut të Komisionit të Garancive Statuore.
KËRKESË
Objekti: Kërkojmë zbatimin dhe interpretimin prej Komisionit të Garancive
Statutore të shkeljeve të konstatuara të Statutit të PS
Baza Ligjore: Neni 32 i Statutit të Partisë Socilalite
Drejtuar: Z. Alket HYSENI
Kryetar i Komisionit të Garancive Statutore PS
Duke qenë se, bazuar në nenin 5 të Statutit të PS, Statuti i PS është dokumenti bazë mbi të cilin organizohet dhe funksionon PS, dhe si i tillë, ai jo vetëm sintetizon mendimin e përbashkët të anëtarëve dhe përkrahësve të PS, por edhe rregullon marrëdhënien e çdo anëtari dhe përkrahësi të PS me Partinë, dhe me përfaqësuesit e saj;
Duke qene se, dhënia e një kuptimi të ndryshëmnormave statutore, tej dhe jashtë kuptimit të termave të përdorura, krijon jo vetëm pasiguri juridike si pasojë e paqartësisë në zbatimin e tyre, por edhe përbën një rrezik për cënimin e marrëdhënies së çdo anëtari dhe përkrahësi të PS me Partinë, dhe me përfaqësuesit e saj, çka minon zgjerimin e ndikimit të saj në shtesat e gjera të popullsisë;
Duke qenë se, interpretimi i çdo norme statutore, është dhënia e kuptimit të saktë dhe të drejtë të termave të përdorura prej saj, dhe jo edhe krijimi i normave të reja;
Duke qenë se çdo normë statutore duhet të interpretohet në mënyrë të tillë që të jetë e pajtueshme me parimet demokratike, frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në nenin 9 pika 1 të saj, i cili parashikon se: “organizimi i partive politike duhet të përputhet me parimet demokratike”, si dhe ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike”, (i ndryshuar) në nenin 7 gërma ‘a” të tij, i cili parashikon se:“organizimi i brendshëm i partive politike nuk është në kundërshtim me parimet demokratike dhe, veçanërisht, me parimet vijuese: ndërtimi nga poshtë lart i partisë, zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, e drejta e shprehjes së mendimit nga çdo anëtar, liria e hyrjes dhe e daljes së tyre nga partia, e drejta e çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur”;
Duke qenë se, mosrespektimi i normave statutore në lidhje me mandatin e organeve të brendshme qëndrore dhe lokale të PS, sjell si pasojë vënien në diskutim të legjitimitetit për ushtrimin e funksioneve të tyre, bazuar në Statutin e PS, ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për Partitë Politike” si dhe në parimin demokratik që të gjitha organet që zgjidhen nuk kanë dhe nuk gëzojnë një legjitimitet të përjetshëm, apo të papërcaktuar në kohë, por përkundrazi kanë dhe gëzojnë një legjitimitet të përkohshëm, të përcaktuar në kohë, i cili rifitohet dhe rinovohet periodikisht nëpërmjet mekanizmit demokratik të zgjedhjeve të këtyre organeve;
Duke qenë se, bazuar në nenin 32 të Statutit të Partisë Socialiste, Komisioni i Garancive Statutore është struktura përgjegjëse, i cili vendos për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin dhe interpretimin e Statutit të Partisë, të vendimeve dhe rregulloreve të forumeve qëndrore të Partisë;
Si anëtarë të Partisë Socialiste,kërkojmë zbatimin dhe interpretimin prej Komisionit të Garancive Statutore, për shkeljet e konstatuara të Statutit të PS.