Lajmet e fundit

Gjykata Themelore në Prishtinë liroi sot nga akuza për shpërdorim detyre zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Bajram Pajazitin e Bajram Azemin.
Bajram Pajaziti që është vëllai i heroit Zahir Pajaziti dhe Bajram Azemi akuzoheshin nga prokuroria se kanë nxjerrë vendime të kundërligjshme me të cilat ia kishin mundësuar Rexhep Haxhës marrjen e pensionit të familjes së dëshmorit për djalin e tij të vrarë gjatë luftës Bahri Haxha.
Sipas prokurorisë Rexhep Haxhës i ishte ndarë pensioni për djalin e tij të vrarë në maj të vitit 1999, edhe pse Haxha nuk kishte dokument nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, i cili ishte i nevojshëm për të përcaktuar ata që janë dëshmorë.
Gjatë procedurës gjyqësore të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa prokuroria kishte kërkuar dënimin e tyre, shkruan kallxo.com.