Lajmet e fundit

Kandidati për Kryeministër nga radhët e Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po thotë se pushteti absolut, do të sillte degjenerim total në shtetin e Kosovës, ndërsa ka komentuar mundësitë e fitores së Vetëvendosjes si subjekt i vetëm në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Për këtë ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin, nxori një krahasim ndërsa përmendi pushtetin absolut të Aleksandar Vuçiqit, për të cilin tha se po e synon ngjashëm edhe Albin Kurti, njofton Klan Kosova.
''Unë besoj që ai nuk fiton. Sepse një Kosovë që jetojmë unë e ti, nuk besoj kurrë që pranon të jetojë e të qeveriset nga një parti politike''.
''Nuk besoj kurrë në Kosovë që do ta lejonte t’i hipte atij rreziku për të lejuar një parti politike të jetë e vetëmjaftueshme për të qeverisur''.
''Nëse ndodhë, ndodhë. Çka do që vendos populli ne duhet ta respektojmë e ta pranojmë si fakt. Kjo është traditë e ndërtuar në demokraci''.
''Pse po them kështu sepse është me rrezik. Shteti i Kosovës është ende i brishtë. Ky shtet, duhet të ketë kujdes se nga pushteti absolut, degjenerimi absolut vjen''.
''Dhe ky vend nuk e ka luksin dhe pjekurinë e mjaftueshme institucionale politike, që të qeveriset nga një parti politike, pa një degjenerim masiv. Me koalicione kemi pasur problem me qeverisje, e merre me mend një pushtet absolut çka mund t’i ndodhë një vendi''.
''Shiqoni çka po ndodhë në Serbi'', shprehet Limaj.
Rubikon: Ajo mund të ndodhë në Kosovë? - po e krahasoni [Albin Kurtin] me Aleksandër Vuçiqin?
''Pushtet absolut a ka Vuçiqi në Serbi? - dhe krejt është tjetër gjë shteti serb me Kosovën'', përgjigjet Limaj, njofton Klan Kosova.
''Nëse ia jep votën 90% të shqiptarëve të Kosovës, urime i qoftë''.
''Por, unë po them mendimin tim. Shteti ynë dhe qytetarët e këtij vendi nuk besoj që do të lejonin që një parti politike ta ketë pushtetin absolut sepse do të ishte e dëmshme për vet qytetarët e Kosovës''.