Lajmet e fundit

Liderët e lartë të shtetit dhe ata të subjekteve politike janë shfaqur të përçarë edhe në ditën kur Kosova feston më së shumti, këtë 13 vjetor të pavarësisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë Avdullah Hoti thuajse as nuk u përshëndetën në mëngjes kur u bënë pjesë e ceremonisë së ngritjes së flamurit shtetëror nga garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Të dy vazhduan për homazhe në Velani ku prehen eshtrat e presidentit historik Ibrahim Rugova, por të ndarë.
Hoti në shoqërinë e kabinetit qeveritar e Osmani në shoqërinë e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, të ndarë nderuan edhe familjen Jashari në Prekaz.
Gjatë kohës sa këtu po takoheshin me qytetarët, para syve të Osmanit e Kurtit kalon edhe kreu në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj por asnjë nga ta nuk përshëndeten mes vete, e as nuk e urojnë njëri – tjetrin për pavarësinë!
Meqë Hoxhaj rastis të jetë lideri i fundit që u pa të mos ketë raporte të afërta as në ditë festash me të tjerët, u pyet se pse po ndodhë kjo dhe çfarë mesazhi përçohet tek qytetarët, por i njëjti ka zgjedhur që ta cilësojë këtë si pyetje politike, vendi i së cilës është zyra e jo Prekazi.
Hoxhaj nuk u shoqërua gjatë vizitës në Prekaz as nga pasardhësi i Jasharajve që është kryetar i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili paraprakisht e shoqëroi secilin vizitor, përfshirë Osmanin, Hotin e Kurtin.