Liderët evropianë kanë reaguar pas fitores së opozitës në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Hungari.
Victor Orban, pas 16 vjetësh e ka humbur pushtetin, pasi kutitë e votimit e kanë nxjerrë fitues opozitarin, Petër Magyar.
Në mesin e shumë liderëve, ka qenë edhe kancelari gjerman, Friedrich Mertz, i cili e ka uruar popullin hungarez për zgjedhjet.
“Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar.”, ka thënë Mertz.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka deklaruar se ka fituar Evropa dhe vlerat evropiane.
E kryeministri britanik, Keir Starmer e ka cilësuar “moment historik për demokracinë evropiane”.
Gjithashtu, edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka uruar liderin e opozitës në Hungari, Péter Magyar, për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mes tyre.
“Kam biseduar me Péter Magyar për ta përgëzuar për fitoren në Hungari,” ka deklaruar ai, ndërsa ka shtuar se Franca vlerëson pjesëmarrjen demokratike dhe angazhimin e qytetarëve hungarezë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian.
Macron ka ndarë edhe një mesazh publik në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e Hungarisë dhe të Evropës në tërësi.
Kurse, Kristen Michal, kryeministrja estoneze ka thënë se hungarezët kanë bërë një zgjedhje historike.
Ndërkohë, kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka thënë se zgjedhjet shënojnë një kapitull të ri në historinë e Hungarisë.
Për fitoren në zgjedhje, opozitarin Magyar e ka uruar edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
“Vendi i Hungarisë është në zemër të Evropës.”, ka thënë ajo.
Edhe përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian kanë uruar popullin hungarez për zgjedhjet, duke deklaruar se Hungaria ka zgjedhur Evropën. /Klankosova.tv
●●●
NSHKRIMI NGA
NaimS
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.