Lajmet e fundit

Në këtë takim, u diskutua për zhvillimet ekonomike të vendit dhe për rëndësinë e përkrahjes së prodhimeve vendore. Të dyja palët ishin të një mendimi se shteti i Kosovës duhet të ofrojë më shumë mbështetje për prodhuesit vendorë.
Rafuna theksoi disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen bizneset vendore, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore.
Ndërkohë, lideri i koalicionit, Selim Pacolli, shpjegoi se, sipas planit programor të Koalicionit "Lista për Familjen", parashihet krijimi i një gjykate ekonomike, e cila do të lehtësojë zhvillimin ekonomik të vendit.
Deputeti Visar Korenica, vlerësoi punën e deritanishme të Odës Ekonomike dhe theksoi se Koalicioni "Lista për Familjen" do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të punësimit dhe mbështetje për prodhimin vendës.
Sipas njoftimit të lëshuar, pas vizitës në Odën Ekonomike, Koalicioni "Lista për Familjen" u takua me Shoqatën e Pensionistëve, ku diskutuan për rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së pensionistëve në vend.
Selim Pacolli theksoi se familja do të mbetet gjithmonë një prioritet kryesor i Koalicionit, ndërsa Visar Korenica theksoi se Koalicioni do të luftojë për të mbrojtur institucionin e familjes dhe për të kundërshtuar çdo përpjekje që mund të dëmtojë këtë institucion të shenjtë.
Gjatë këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Shoqatës së Pensionistëve theksoi mbështetjen e koalicionit për pensionistët dhe ngriti disa kërkesa kryesore.
Një nga kërkesat e tyre primare ishte ligji për fondin pensional, si dhe shqetësimi për paraqitjen e pensionistëve çdo gjashtë muaj, një praktikë që ata e konsiderojnë si një pengesë të madhe.
Koalicioni "Lista për Familjen" premtoi se ky vendim do të eliminohet, duke siguruar që ky proces të jetë më i thjeshtë dhe më i drejtë, si pjesë e planit qeverisës të koalicionit.
"Lista për Familjen" thotë se mbetet e angazhuar për zhvillimin e ekonomisë vendore dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve, duke i dhënë përparësi prodhimeve vendore dhe mbështetjes për çdo pjesëtar të shoqërisë.