Lajmet e fundit

Nina George - "Letra e harruar"
Në një barkë në brigjet e Senës, gjendet një librari lundruese fare e veçantë, me emrin “Farmacia letrare”, një vend kulture, ku librat nuk janë thjesht për lexim.
Zhan Perduja, librashitësi i saj, mendon se çdo libër është balsam për shpirtin dhe çdokujt që hyn në librarinë e tij, si një shërues i mirë, i jep librin e duhur për çdo vështirësi në jetë.
I vetmi njeri që, me sa duket, nuk po gjen shërim përmes letërsisë është ai vetë: prej njëzetenjë vjetësh, ai jeton me kujtimin e së dashurës së tij Manonit, e cila ishte zhdukur një ditë krejt papritur duke i lënë vetëm një letër.
Atë letër, Zhani “e harroi” me dashje, sepse ai e kishte dashuruar Manonin me gjithë shpirt, duke lënë veten krejtësisht pas dore e duke iu përkushtuar dashurisë së tyre sublime.
Francesco Altimari - "Urat e Arbërit"
Libri më i ri i tij, “Urat e Arbërit”, është vetëm një prej provave të prishjes së rendit të mëhershëm në dijet shqiptare.
Në kushtet e sotme, kur etnocentrizmit gjithnjë e më shumë po ia zë vendin eurocentrizmi, nuk është më e rëndësishme nëse qendra e studimeve albanologjike gjendet në Tiranë a Prishtinë, po nëse ajo po hapet e emancipohet si dije vetënjohjeje.
Dhe, natyrisht, urat e Arbërit të mbijetuar, urat e botës arbëreshe, të shumëfishta mes tyre: ura që ndërlidhin shekujt, ura që ndërlidhin arbëreshët e Sicilisë dhe ata të Kalabrisë, ura që lidhin arbëreshë e arvanitë dhe pastaj këta së bashku me kujtimin e një patria poesis, ura që bashkojnë pararilindjen me Rilindjen, ura në të cilat shtegtojnë edhe sot si kalorës të një urdhri ndriçimtar De Rada, Migjeni, I. Kadare dhe M. Camaj…
Ismail Kadare - "Dasma (Lëkura e daulles)"
Romani “Lëkura e daulles” është botuar së pari me këtë titull në vitin 1967, në revistën “Nëntori”. Një vit më pas ka dalë si libër më vete nën titullin “Dasma”.
Më pas, pas shkurtimeve të ndjeshme, është ribotuar më 1981 me titullin e kahershëm “Lëkura e daulles”. Zanafilla e romanit ka qenë novela “Dasma e çuditshme”, me subjekt prishjen groteske të një dasme, si hakmarrje ndaj nuses, prej të dashurit të fyer.
Ndonëse i shpërfillur prej autorit, romani është përkthyer në disa vende perëndimore nga botues të majtë, përpara “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Një radio-dramatizim i veprës, me titullin “Dasma dhe fantazma”, është bërë prej BBC-së së Londrës më 1969.
Petrit Palushi - "Frederik Reshpja që s’e kuptuam kurrë"
Libri paraqet kujtime tronditëse, dramatike e poetike për dy ditët e poetit Frederik Rreshpja, në Kukës, disa muej para se ai me vdekë.
Të gjithë ata që s’kanë pasë fat – sikurse unë – me e taku të gjallë poetin Rreshpja, do të ndihen tanë kohën në shoqninë e tij, tue lexu këtë libër-homazh, të shkruem me shumë kujdes e dashuni nga shkrimtari Petrit Palushi.
Këto shënime vijnë e bahen të paçmueshme kur e kuptojmë se ato sjellin një dëshmi të rrallë e të gjallë për personalitetin e poetit me vargun ma të veçantë në gjithë historinë e vargnimit shqip. Rreshpja nuk ishte poet i cili vetëm shkroi poezi, ai edhe jetoi poetikisht.
Në mënyrë të çuditshme, aq sa ishte e randë jeta e tij, po aq e fuqishme u ba shprehja e tij poetike. Edhe vetë Rreshpja e pranon se vetëm “Kur trishtohem shkruaj… “, Agim Morina /Gazeta Shqip/