Lajmet e fundit

Charles Bukowski - “Bukë me sallam”
Bukë me sallam”, romani i katërt i Charles Bukowski–t, botuar për herë të parë më 1982-shin, me gjasë është libri më autobiografik, rrëqethës dhe prekës i tij. Ai trajton fëmijërinë dhe adoleshencën e Henri Çinaskit, plot shëmti, dhembje, arrati e vetmi, që nga vitet e para të jetës e deri në kurorëzimin e një “karriere” të gjatë e të suksesshme alkoolike.
“Bukë me sallam” është padyshim romani më i mirë i Bukowski–t. Në këtë roman të ashpër, mizor e të dëshpëruar, por edhe ironik e moskokëçarës, gjithçka përballohet me tone të egra, pa gjetur asnjë ngushëllim.
Aty rrëfehet për prindër patetikë, konformistë e të dhunshëm; për zbulimin vuajerist të seksit e për vetëdijen e thekshme të të qenët i përjashtuar; për revoltën kundër hipokrizive sociale të punës, të suksesit dhe të dashurisë për atdheun; për shkollën, ku hierarkitë shoqërorë janë të pashpresa dhe një riprodhim i së shkuarës; për profesorët groteskë dhe të frustruar dhe mësueset joshëse e mëmësore; për miqtë dhe rivalitetet e egra për të prirë “kopenë” e për të rregulluar ndonjë vajzë; e më së fundi, për ndjenjën poshtëruese të përjashtimit që shfaqet në dorëzimin ndaj alkoolit, së cilës vetëm shfryrja te shkrimi i dëshpëruar e kompulsiv do t’i japë një shpresë për shpagim.
Jonathan Franzen - “Korrigjimet”
Lambertët, një familje gati tradicionale e mesperëndimit amerikan, po shpërbëhet diku mes shekullit të njëzetë. Të tre fëmijët e Alfredit dhe Enisdës, largohen dhe nisin secili një jetë të re në lindje të vendit.
Autori i ndjek jetët e tyre hap pas hapi, me një kronologji marramendëse dhe të pasur me detaje mbresëlënëse, tek enden e përpiqen mes së shkuarës që shpesh i përndjek, së tashmes që i vërvit nëpër befasira dhe së ardhmes së paqartë e dyshimtare.
Deri në Krishtlindjet e fundit, kur familja do të bëhet bashkë, që përkojnë me nisjen e mileniumit të ri, autori ndërton një histori të mrekullueshme, njëherësh pikturon peizazhin e plotë të Amerikës e jetës amerikane pak para shtatorit 2001, vit kur u botua kjo vepër.
Sarah Dessen - “Dikush si ti”
Heili dhe Skarleta kanë qenë shoqe të ngushta prej shumë vitesh – duke balancuar njëra-tjetrën në mënyrë të përsosur: Heili e qetë dhe e mbyllur, ndërsa Skarleta e hedhur dhe mjaft sociale – deri në verën kur ato mbushën 16 vjeç.
I dashuri i Skarletës, Majkëlli, gjen vdekjen në një aksident me motor pak kohë përpara se ajo të zbulonte se brenda saj po rritej fëmija e të ndjerit. Për herë të parë Skarleta ndien nevojën për të pasur afër Heilin, ashtu sikurse edhe vetë Heili kërkon afër Skarletën, sepse ajo sapo është hedhur në krahët magjikë të dashurisë së parë dhe ndodhet nën presionin e humbjes së virgjërisë.

Nikos Kazanxaqis - “Tundimi i fundit”
“Tundimi i fundit”, i konsideruar si kryevepër nga kritikët në mbarë botën, është një interpretim laik i Ungjillit. I botuar për herë të parë në vitit 1955, në të rrëfehet jeta e Jezu Krishtit nga perspektiva e vetë Jezuit. Kazanxaqis, ky gjigant i letërsisë moderne, rrëfen dashurinë dhe pasionin e një njeriu çfarëdo: Jezuit të Nazaretit. Biri i një zdrukthëtari, njeriu Jezu dëshiron të dashurohet me një grua, të krijojë familje, të jetojë si gjithë të tjerët.
Në të njëjtën kohë, brenda tij kumbon i papërballueshëm zëri i Zotit, i cili e thërret drejt një jete plot sakrifica dhe një vdekjeje plot vuajtje. Konflikti i brendshëm i njeriut, beteja midis mishit dhe shpirtit, instinkti i rebelimit dhe dëshira për t’u puqur me Zotin, shpërfaqen në një afresk rrëfyes që lartëson sakrificën e madhe të Krishtit.