Lajmet e fundit

Kreu i ambasadës së Çekisë në Prishtinë, Pavel Bilek, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë ndër prioritetet në agjendë, gjatë kryesimit të Këshillit Evropian nga Çekia, e cila ka nisur më 1 korrik dhe përfundon më 31 dhjetor.
“Vëmendje speciale presidenca çeke do t'i kushtojë normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu kjo presidencë ka lart në agjendën e saj liberalizimin e vizave për Kosovën. Një debat i hershëm i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje është në planin tonë”, tha Bilek në ceremoninë e paraqitjes së prioriteteve të presidencës çeke.
Nga ana e tij edhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, përmendi heqjen e regjimit të vizave, përderisa përgëzoi vendin ku ai punon për rreshtim me botën perëndimore ndaj Rusisë që nisi luftën në Ukrainë.
“Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë partneri ynë në këtë luftë. Kosova tashmë ka marrë një qëndrim të qartë politik, duke dënuar agresionin rus dhe duke vendosur masa kufizuese – strikte sikur BE-ja dhe aleatë tjerë,” theksoi Szyunyog.
Për këtë qëndrim foli edhe Albin Kurti, i cili thirri Evropën ta thyejë murin e izolimit ndaj shtetasve të vendit ku ai është kryeministër.