Lajmet e fundit

Lëvizja për Bashkim e konsideron të drejtën e protestës vlerë të çdo shoqërie.
Ky subjekt politik ia bërë thirrje partive opozitare, Qeverisë edhe qytetarëve pjesëmarrës të protestës, që të kontribuojnë në atë mënyrë që ky manifestim të jetë paqësor dhe mesazhi të jetë në frymën e ndërtimit të bashkëpunimit të të gjitha forcave politike për çështjet që kanë të bëjnë me interesin tonë nacional.
"Të mos shfrytëzohet kjo festë bashkuese për të përcjellë mesazhe përçarëse e për të krijuar atmosferë ndarëse. Përndryshe, protesta do të shndërrohet në keqpërdorim të Festës kombëtare!" thuhet në një komunikatë të këtij subjekti politik.
Lëvizja për Bashkim, thekson se që para fillimit të bisedimeve me Serbinë ka paralajmëruar se këto bisedime janë të pashmangshme, por ato po fillojnë të papërgatitura, pa konsensus kombëtar e pa platformë politike dhe në këto rrethana rezultatet do të jenë me pasoja tepër të rënda për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.
"Ne vazhdojmë të jemi të bindur se një konsensus kombëtar, i ndërtuar mbi parimin e reciprocitetit si bazë e zgjidhjes së këtyre problemeve, do të prodhonte një situatë krejt tjetër, shumë më të favorshme krahasuar me këtë që e kemi sot".
Lëvizja për Bashkim edhe njëherë ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe për gjetjen e kurajës për t’u ulur së bashku i gjithë spektri politik i shqiptarëve, me qëllim të arritjes së një konsensusi për rrugën e mëtutjeshme të vendit, transmeton Klan Kosova.