Lajmet e fundit

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim ka mbajtur një mbledhje këtë të diel, ku është diskutuar rreth situatës politike të krijuar kohëve të fundit në vend, transmeton Klan Kosova.
Aty është thënë se Kosova vazhdon të gjendet në momente vendimtare për të ardhmen e saj.
Më tej është diskutuar edhe për shqiptarët të cilët jetojnë në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi ku është thënë se përballen me probleme të shumta.
E debatet e fundit sipas tyre nxisin përçarje midis shqiptarëve në vend të bashkimit të tyre.
“Debate që përpiqen të krijojnë pengesa të reja në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në vend të atyre që do të na ndihmonin t’i tejkalojmë ato të vjetrat”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes për Bashkim.
“Problemet e mbetura me Serbinë, deri në zgjidhjen e tyre, duhet të mbesin në krye të angazhimeve të secilit prej nesh. Subjekt i debateve tona, i të gjithë shqiptarëve andej e këndej kufirit, duhet të jetë gjetja e rrugës së vërtetë për ta zgjidhur këtë problem, e jo sajimi i problemeve të paqena.”
“Marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë duhet të thellohen gjithnjë e më shumë dhe në këtë fazë do të duhej të shkonin në drejtim të krijimit të mekanizmave të përbashkët institucionalë që do të kishin përgjegjësi jo vetëm të mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, por edhe të nismës së të rejave, si dhe të krijimit të politikave të përbashkëta në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës, mbrojtjes, politikës së jashtme etj.”
“Një bashkëpunim i tillë do të duhej domosdo të çonte drejt një politike të përbashkët ndaj rajonit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë aty. Fuqizimi i këtyre marrëdhënieve e forcon sovranitetin e Kosovës.”
“Në procesin e forcimit të sovranitetit të vet, Kosova vazhdon të mbetet peng jo i atyre që shprehin gatishmëri të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve, por i atyre që i kanë shkaktuar ato dhe e pengojnë zgjidhjen e tyre. Shqiptarët duhet të merren me armiqtë e pavarësisë së Kosovës, e jo të krijojnë armiq brenda vetes”, përfundon komunikata.