Lajmet e fundit

Lëvizja BESA reagoi ndaj marrëveshjes së arritur mbrëmë për tejkalimin e krizës politike. Sipas kësaj lëvizje, problem në Maqedoni nuk janë individët, por sistemi i cili favorizon njërën etni ndaj etnive tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, transmeton zhurnal.mk
“Marrëveshja e arritur mbrëmë nën ndërmjetësimin e eurokomisarit Hahn, megjithëse synon ta nxjerrë vendin nga kriza aktuale politike, për Lëvizjen BESA është edhe një dëshmi se aktorët kryesorë politikë në vend nuk duan ta kuptojnë se në Maqedoni nuk është problem akëcila figurë politike, porse problemi qëndron në vetë sistemin juridiko-politik të shtetit. Derisa në atë marrëveshje nuk thuhet asgjë se do të ndryshojnë mekanizmat e funksionimit të shtetit, veçmas në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike, ka pak ose aspak shpresë se kjo krizë nuk do të na përsëritet edhe në të ardhmen. Kjo marrëveshje nuk dha përgjigje për këto çështje: zgjidhja e problemit të emrit të shtetit;regjistrimi i popullsisë; kodi zgjedhor,departizimi i prokurorisë dhe gjyqësorit,liria e mediave,zbardhja e rastit të Kumanovës dhe e rasteve të tjera të montuara politike (“Monstra”, “Sopot”, “Brodec”),përdorimi i gjuhës shqipe,vendimmarrja konsensuale,shpërndarja e drejtë e buxhetit.
BESA konsideron se Maqedonia nuk ka vetëm problem ndërpartiak. Në të vërtetë, tensioni LSDM-VMRO është vetëm manifestim dhe pasojë e këtij shteti të ndërtuar keq. Problemi i Maqedonisë është sistemi që, duke dashur ta mbrojë shtetin njëetnik maqedonas nga shqiptarët, vazhdon të prodhojë diskriminim, ndërsa paranoja e kësaj frike së fundi eskaloi edhe brenda llojit.”, thuhet ndërmjet tjerash në reagimin e Lëvizjes BESA./Zhurnal.mk