Anëtari i Kryesisë së Partisë Progresiste Serbe, Goran Vesiq, tha se letra e "zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara ndaj liderëve të Prishtinës përfaqëson një tjetër fitore të politikës së Aleksandar Vuçiqit".
"Letra e ashpër nga SHBA-të për udhëheqësit e Kosovës, si dhe anulimi i një vizite nga një zyrtar i lartë ushtarak në Prishtinë, është pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së keqe të Ramush Haradinajt që refuzon të ndërpresë taksën mbi produktet serbe, duke rrezikuar negociatat për një zgjidhje të qëndrueshme", tha ai.
Krerët e Shtetit kanë marrë të martën një letër nga zëvendësasistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, Laura Cooper dhe John Erath, ku është treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka prishur raportet me Amerikën.
Në letrën drejtuar presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, thuhet se SHBA ka vendosur të stopojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si kundërpërgjigje ndaj mosheqjes së taksës, njofton Klan Kosova.
Më tej, aty thuhet se SHBA nuk mund të besojë që qeveria kosovare nuk po i dëgjon këshillat e saj, si mikja më e mirë e shtetit të Kosovës./klankosova.tv./