Lajmet e fundit

Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Agron Tufa, Namik Dokle, Rudolf Marku, Ilirian Zhupa, Darien Levani, Enit Karafili, Besa Myftiu, autorët që prezantuan libra të rinj gjatë këtij viti.
“A ka humbur letërsia e mirë?” Kjo ishte një nga pyetjet që dominoi recensionet dhe kritikat e revistave të njohura letrare në botë gjatë vitit 2015. Në një intervistë të dhënë gjatë këtij viti, romancierja e njohur, Edna Obrein, (intervista botohet këtë numër të revistës “Saras”) ngre pikëpyetje mbi atë ku po shkojnë botimet sot, duke thënë se “letërsia e mirë prej vitesh është në agoni”.
Por ndërsa shkrimtarë si Obrein apo Martin Amis vazhdojnë të besojnë se jo gjithnjë botimi i një libri është ngjarje dhe mund ta vendosë shkrimtarin përfundimisht në panteonin e librave që mund të lexohen në çdo kohë, tregu i librit edhe këtë vit në botë është dominuar nga libra bestseller.
Duket sikur letërsia ka rënë në “grackën” e të qenët “në modë”, duke dashur ta mbajë lexuesin me çdo kusht dhe duke bërë “kompromise” që kohë më parë as që mund të mendoheshin. Kjo duket nga temat e trajtuara në libra, nga erotizmi deri te debatet fetare apo temat e identitetit, të cilat në një farë mënyre kanë qenë boshti i botimeve të vitit 2015.
Por çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe gjatë vitit 2015? A ndryshoi kurba e saj nga kurba e letërsisë që bëhet në Europë apo Perëndim? Në një vështrim të shpejtë, një lexues i rregullt i letërsisë mund të dallojë lehtë se letërsia e këtij viti shkoi në sinkron me debatin më të madh që Shqipëria ka këto 20 vite atë të hapjes apo jo të dosjeve të Sigurimit.
Një pjesë e librave të rinj të botuar këtë vit kishin si subjekt të shkuarën, duke treguar se e shkuara vazhdon të jetë një temë e ndjeshme jo vetëm e letërsisë, por edhe e shoqërisë sonë.
Shkrimtari Bashkim Shehu, i cili vitet e fundit është shumë aktiv në letërsi dhe në fushën e përkthimit, erdhi në fillim të këtij viti (janar) me romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”.
Një roman që, sipas autorit është shkruar më herët në vitin 2013-2014, por që e solli për lexuesin në fillim të 2015-s. Në këtë libër, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës dhe pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekt për ndërtimin e bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/01/06/letersia-shqipe-gjate-vitit-2015/