Lajmet e fundit

Shënimet e të huajve mbi Shqipërinë nën përkthimin e Eqrem Çabejt, Kolë Kasmit dhe Aleksandër Xhuvanit vijnë në një libër botuar më 1943
Letrat – “Veçse desha të ju shënoj që ideja për hartimin e ‘Bota shqiptare’, d.m.th. si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qenë imja që në kohë të Zogut, kur edhe bëra një qarkore shumë profesorave për bashkëpunim (e ka[m] ideuar në disa vëllime, sipas lëndës)”.
Eqrem Çabej, Letër Jup Kastratit, Tiranë, 24.VII.1963.
“Nismën për botimin kolektiv që u realizua pjesërisht te ‘Bota shqiptare’ nuk e kam marrë kur isha në Ministri t’Arsimit, po pak më vonë, kur isha profesor në Gjirokastër”.
Eqrem Çabej, Letër Jup Kastratit, Tiranë, 6. IX. 1973.
Në Tiranën e pasviteve ’60, Eqrem Çabej sapo i kishte kaluar të 50-tat, ndalej shpesh në dorëshkrimet e pafundme në zyrën e tij të punës, ku prej kohësh përveç interesit për gjuhën, kishte ndërtuar në mëndje një tjetër projekt. Që në të 30-tat, leximi i autorëve të huaj, apo librave që sillnin një kënd tjetër për shqipen dhe historinë tonë ishin në vëmendjen e tij.
Finesa e një intelektuali, dhe pse nën një regjim totalitar e ndiente se vetëm mendimi, mund të ngacmonte nervin e një vendi. Shënimet e udhëtarëve të huaj që kishin vizituar Shqipërinë kohë më parë, apo mendime të ndryshme të gjetura në fletë librash të lexuar dhe në gjuhë të huaj mbi shqipen, e kishin bërë të projektonte në mendje fillimisht hartimin e një libri të quajtur “Bota shqiptare”.
Ai donte të sillte këndvështrimin e të huajve mbi vendin tonë, duke nënvizuar forcën e një identiteti që kishte arritur të pikasej dhe nga njerëz që nuk e flisnin gjuhën tonë. Në ato vite profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike, ai e ndiente rëndësinë e vendosjes në një libër të gjitha atyre përshtypjeve që historianë, ose udhëtarë të zakonshëm kishin bërë mbi Shqipërinë. Në një letër drejtuar profesor Jup Kastratit më 1963-shin, i cili më vonë do të hartonte Bibliografinë e veprës së Çabejt, ai i shkruan se kjo ide është e hershme, që nga koha e Zogut.
“Veçse desha të ju shënoj që ideja për hartimin e ‘Bota shqiptare’, d.m.th. si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qenë imja që në kohë të Zogut, kur edhe bëra një qarkore shumë profesorave për bashkëpunim (e kam ideuar në disa vëllime, sipas lëndës)” , i shkruan ai mikut të tij më korrik të 1963-shit.
Duke i folur për këtë vepër dhjetë vite më vonë në një tjetër letër, ai i shkruan se “nismën për botimin kolektiv që u realizua pjesërisht te ‘Bota shqiptare’ nuk e kam marrë kur isha në Ministri t’Arsimit, po pak më vonë, kur isha profesor në Gjirokastër”. Libri me shënime me të njëjtin titull me të cilin profesor Çabej e cilëson në letrat drejtuar profesor Kastratit do të botohej në shtypshkronjën “Gurakuqi” si botim i Ministrisë së Arsimit më 1943.
“Bota shqiptare”, libër leximi për kursin e naltë të shkollave të mesme kishte bërë bashkë për të mbledhur dhe përpunuar materialet në të emra të njohur të shqipes si Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi dhe Eqrem Çabej. Në libër gjenden 17 pjesë të përkthyera nga Eqrem Çabej prej gjermanishtes, italishtes dhe frëngjishtes të autorëve të ndryshëm si: Franz Seiner, Baron Nopcsa, Herbert Louis, Demetrio Camarda, Milan v. Sufflay, Fr. Klute, Th. Ippen, G. Lorenzoni, K. Patsch, Franz Babinger etj.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/01/16/leterkembimet-e-eqrem-cabejt-me-jup-kastratin/