Lajmet e fundit

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se fati i të zhdukurve tash e 17 vjet në Kosovë duhet të zbardhet, dhe se nuk duhet të vazhdojnë bisedimet me Serbinë nëse ky shtet nuk jep informata për vendndodhjen e tyre.
“Të zhdukurit plagë e Kosovës që s'po shërohet. Po bëhen 17 vite që fati i të zhdukurve të luftës së fundit nuk po zbardhet. Jemi me familjet në thirrjen e tyre që mos të vazhdohet edhe me tutje me ketë enigmë e cila vetëm sa i shton dhimbjet e familjarëve për më të dashurit e tyre. Institucionet e Kosovës, nuk duhet të kenë as edhe një ditë bisedime me shtetin i cili edhe i shkaktojë viktimat edhe nuk po jep as me të voglën informatë për fatin edhe të mbi 1500 të zhdukurve”.
Në profilin e tij në Facebook Lekaj shkruan se, në vend se të dënohet për krimet Serbia po favorizohet në sajë të Kosovës.
“Institucionet shtetërore nuk po e kuptojnë ose po bëhen kinse s'po e kuptojnë lojën e turpshme të Serbisë me fatin e atyre që i provojë nga jeta padrejtësisht para 17 vitesh. Në vend të penalizmit të saj për ato çka i ka shkaktuar në Ballkan, Serbia po "përkëdhelet" dhe po i bëhen koncesione të tjera në kurriz të Kosovës”.
Lekaj u ka bërë thirrje akterëve vendorë e atyre ndërkombëtarë, që t’i bëjnë trysni Serbisë, për të dhënë llogari për personat e zhdukur.
Edhe njëherë iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve, vendorë e ndërkombëtar, të rritet trysnia ndaj Serbisë e të bëhet e mundur zbardhja e fatit te të gjithë personave të zhdukur.