Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur në seancën e thirrur për murin në Veri të Mitrovicës pranë urës mbi lumin Ibër, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e paaftë për të bërë diçka, madje Lekaj e ka quajtur kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa si “Qeveri e vdekur”, njofton Klan Kosova.
“Mjerimi është se kjo qeveri çdo ditë e vit po kalon në një skepticizëm të përgjithshëm, sepse vet qeveria ndodhet në një pikë të vdekur”, ka thënë Lekaj.
“Qeveria e Serbisë po e shfrytëzon këtë, po financon këtë me një qytet të ndarë, sepse paqja dhe integrimi i asaj pjese nënkupton humbje të influencës mbi Kosovën”.
“Serbia vazhdon të forcojë aleancën me atë pjesë për të shtyrë interesat e saj, jo se merakoset për serbët”.
“Sa herë që qeveria ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë na kanë thënë se po e largojnë ndikimin e Serbisë mbi Kosovën, por gjendja reale e thotë të kundërtën”.
“Kemi targa ilegale, flamuj të Serbisë gjithandej, përmendore me heronj serbë, ndërtime muresh e barrikadash dhe bllokada sa herë t’u teket disa banditëve”.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.