Lajmet e fundit

Në 15 vjetorin e sulmeve terroriste mbi Kulla Binjake në New York, Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka lëshuar një mesazh në shenjë respekti e nderimi për viktimat e 11 shtatorit, e në shenjë solidariteti me familjet e viktimave të terrorizmit përgjithësisht, transmeton Klan Kosova.
Përmes këtij mesazhi Lekaj ka thënë se e gjithë bota demokratike duhet të angazhohet që terrorizmi të mos lejohet të i marrë liritë tona qytetare.
"Ne duhet të jemi përgjegjës për fatin tonë, jo atë t'na e përcaktoj terrorizmi.
Sot, sikur edhe para 15 viteve, solidarizohemi me popullin mik Amerikan, me familjet e viktimave të 11 shtatorit. Jemi të vetëdijshëm që për çdo përvjetorë kujtimet për më të dashurit tuaj janë gjithnjë të freskëta, ashtu siç jemi të gjithë të trishtuar kur kujtojmë atë ngjarje tragjike. Kur është goditur populli juaj me 11 shtator, ka qenë goditje për gjithë botën demokratike, por për popullin tonë ka qenë shumë e rëndë sepse e kishim të freskët ndjenjën se si është të jesh i terrorizuar.
E gjithë bota demokratike duhet të angazhohet që të mos e lejojmë terrorizmin të na i marrë liritë tona qytetare. Bota duhet të jetë e lirë në të gjitha drejtimet, duke përfshirë që të flasim lirisht, të luten ku njerëzit duan të luten. Ne vetë duhet të jemi përgjegjës për fatin tonë, e jo atë të na e përcaktojnë terroristët. Shtetet duhet të sigurohen që të gjithë ata që jetojnë në shoqërinë tonë të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje e të mos ketë vend për frikë e diskriminim.
Sulmi ndaj New York-ut ishte sulm ndaj gjithçkaje që është e lirë e demokratike. Prandaj i bashkohemi përkujtimit të 11 shtatorit, në nderim të viktimave, me lutjen që bota të ketë paqe, paqe dhe vetëm paqe".