Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se opozita nuk mund të pranojë një rezultat të matjes së territorit nga komisioni i caktuar nga Qeveria, pasi që i njëjti s’ka kredibilitet, njofton Klan Kosova.
“Komisioni për matjen e territorit të vendit i formuar nga Qeveria e Kosovës, është i përbërë nga ata të cilët e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit. Dhe si mundët opozita dhe qytetarët t’i besojnë Hivzi Islamit dhe Tomor Qelës të cilët hapur e kanë mbrojtur versionin aktual të demarkacionit”, shkruan Lekaj në Facebook.
“Prandaj, vlerësoj se ky komision është vetëm mbulesë për Qeverinë e koalicionit për t’i shantazhuar deputetët e Kuvendit për ta votuar demarkacionin”.
“Ne partitë opozitare dhe kryetari i Komunës se Deçanit dhe Junikut kemi refuzuar të jemi pjesë e këtij cirku. Pasi nuk mund të jemi pjesë e një komisioni, i cili do të matë territorin e vendit për sa kohë qe kufijtë e vendit mbesin të padefinuar”.
Lekaj ka përsëritur edhe njëherë atë që e kanë thënë disa gjeodetë se “nuk mund të matet territori i vendit pa u definuar kufijtë”.
“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, do të vazhdoj bashkë me partitë opozitare qe të kundërshtojnë këtë marrëveshje, e cila i humbet vendit mbi 8 mijë hektarë”.
“I bëj thirrje Qeverisë qe të ndalë përpjekjet e tyre për të kaluar këtë marrëveshje pasi ajo nuk do të kalojë”.
Lekaj ka thënë se me cështjen e Demarkacionit duhet të merret një tjtër qeveri – ajo që do të dilte pas zgjedhjeve që opozita tash e sa kohë i kërkon.
“Qeveria duhet qe ta anuloj në tërësi këtë marrëveshje dhe të shkarkoj Komisionin Shtetëror i cili ka bërë demarkimin e kufirit me Malin e Zi, dhe pastaj Qeveria e ardhshme, e cila do të formohet si rezultat i vullnetit të popullit ta negocioj me Malin e Zi demarkimin e kufirit”.
Thirrjet e Thaçit e Mustafës se kalimi i demarkacionit e bën të mundshëm liberalizimin e vizave janë të pavërteta, sepse e kanë thënë edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian se Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave për sa kohë qe nuk luftohet krimi dhe korrupsioni i organizuar, i cili po lulëzon çdo ditë e më shumë.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.